Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan sot në Ankara deklaroi se vendet evropiane duhet patjetër t’i ekstradojnë në Turqi personat e arratisur të organizatës së klerikut Fetulla Gylen e quajtur FETO që në këmbim të mund të kërkojnë që Turqia t’u dorëzojë disa njerëz që ata i kërkojnë, raporton Anadolu Agency.
“Iniciativat e Turqisë lidhur me FETO-n edhe pse ngadalë filluan të japin rezultate. Tani edhe vendimet e dënimeve po u dorëzohen dhe do t’u dorëzohen. Ne do të shohim shumë mirë edhe qëndrimin e atyre jashtë shtetit. E dimë, por tani do ta shohim edhe në aspektin e së drejtës ndërkombëtare. Tani as në lindje e as në perëndim asnjë anëtar i kësaj organizate nuk është i qetë siç ka qenë më parë, edhe nuk do të jetë”, tha presidenti Erdogan në fjalimin e tij në mbylljen e takimit të rregullt të 26-të të Partisë AK.
Erdogan më tej ka thënë se “Ne shohim se FETO po strukturohet në shtetet e ndryshme të Evropës duke marrë mbështetje shumë serioze nga këto vende. Kur ne i pyesim ata përgjigjja që marrim është kjo: ‘Kanë kërkuar azil’. Çfarë do të thotë kanë kërkuar azil? Këta janë tradhtarë, këta janë vrasës dhe patjetër këta janë terroristë. Ka vendime të marra nga gjykatat tona lidhur me këta. Ata e kërkojnë dikë nga ne. Më falni. Për ta marrë atë që e kërkoni nga ne, së pari duhet të na jepni atë që e kërkojmë”