Aktuale

Besim Hoti i LDK-së thotë se ka programin më të mirë qeverisës për Klinën

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha sot se programi i kandidatit të tyre për kreun e Klinës Besim Hoti, është programi më i mirë që i ofrohet qytetarëve të Klinës.

Ai gjatë një takimi me strukturat partiake në Klinë, i ka dhënë mbështetje kandidatit për kryetar të kësaj komune, duke thënë se LDK ka nisur rrugën drejt fitores në Klinë, pasi që kjo parti ka punuar shumë gjatë në këtë qytet.

“Ne kemi një program i cili konsideroj se është programi më i mirë i zhvillimit ekonomik lokal, kemi përvoja shumë të mira të qeverisjes së mirë, përvoja shumë të mira edhe të tranzicionit politik në LDK. Tash unë dhe Fadili mund të krenohemi se themi ngadalë, se po lëshojmë rrugë, po iu japim shanse njerëzve tanë, që meritojnë të kenë këto punë, por pa përkrahjen e juaj këtu dhe në përgjithësi të LDK-së, natyrisht që edhe këto procese nuk shkojnë. Unë ju përgëzoj për përzgjedhjen e kandidatit për kryetar të komunës, ju përgëzoj për një punë të madhe që po bëni dhe po ashtu duhet të punojmë që të fitojmë sa më shumë deputet në asamble sepse në atë formë e përçojmë më mirë zërin e qytetarëve tanë. Ne llogarisim që do t’i fitojmë shumicën e komunave, jemi të interesuar që të fitojmë sa më shumë në raundin e parë që të mos ballafaqohemi edhe një herë me procese të njëjta”, tha Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Klinës, Besim Hoti, tha se është një entuziazëm i madh në këtë komunë, pasi kanë programin më të mirë për qytetarët e këtij qyteti.

“Është një entuziazëm i madh këtu në degën e LDK-së në Klinë, jo pse jam unë kandidat as pse LDK dëshiron me çdo kusht të fitoj në Klinë, por kemi programin me të mirë, i cili është hartuar nga ekspert dhe se është një atmosferë për shkak se në dhjetë vjetet e fundit ka qeverisur një pushtet, i cili shpesh herë po them që do të ketë pasoja në vitet e ardhshme”, tha Hoti.

Ndërsa, kryetari i degës së LDK-së në Klinë, Fadil Gashi tha se kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve lokale të përgatitur më mirë se kurrë, duke u shprehur i bindur se do të dalin fitues më 22 tetor.

the authorE B