Aktuale

Emërohet Komisioni i ri për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror

Qeveria e Kosovës sot ka emëruar anëtarët e komisionit shtetëror, për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror. Kryesues i këtij komisioni do të jetë Shpejtim Bulliqi, ndërsa anëtarë do të jenë Zejnullah Gruda, Martin Berishaj, Hamit Basholli dhe Florim Isufaj.

Në Komision do të përfaqësohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe dy përfaqësues të komunitetit pa të drejtë vote, Riza Smakaj dhe Zymer Neziri.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj tha se me këtë po e përmbushin një obligim ligjor.

“Ne tani kemi një vakum të krijuar me ndërprerjen e mandatit të komisionit paraprak. Po përmbushim një obligim ligjor”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2017, i cili pritet që të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se rishikimin e buxhetit kanë arritur ta harmonizojnë me FMN-në, duke e ruajtur deficit të shëndoshë.

Sipas tij bilanci bankar në fund të vitit me këtë rishikim të buxhetit planifikohet të jetë në nivelin adekuat, apo thënë me terma konkret, rreth 4.8 për qind të bruto produktit vendor, respektivisht 303 milionë.

“Në rishikim ne do të përkujdesemi që kredibiliteti buxhetor shtetëror të ruhet konform obligimeve ligjore dhe kontraktuale. Andaj rishikimi i buxhetit adreson ndër të tjera. Sigurimin e fondeve të mjaftueshme për kategoritë e luftës. Sipas legjislacionit në fuqi me mbi 26 milion euro. Pagesat e detyrimeve në kohë për autostradën “Arber Xhaferi, në drejtim të Shkupit në shumën mbi 50 milionë euro. Edhe pse këta 50 milionë euro prapë nuk do të jenë mjaftueshëm që t’i kryejmë të gjitha obligimet kontraktuale. Por pas rishikimit do të shikojmë se a do të kemi fonde dhe teprica shtesë dhe t’i përmbushim në plotni obligimet tona kontraktuale, të jemi korrekt me ekzekutuesin e punimeve, por të jemi korrekt dhe me ruajtën e reputacionit të vendit tonë. Pagesat dhe sigurimi i fondeve për organizimin e zgjedhjeve lokale në shumë prej 2 milionë euro. Pagesën e detyrimeve financiare nga vendimet e gjykatave në shumë mbi 5.6 milionë euro. Mbulesën financiare për obligimet ligjore ndaj RTK-së në shumë prej 1.4 milion euro’, tha Hamza.

Qeveria ka miratuar shfuqizimin e një vendimi, i cili është bërë për shpronësimin e pronave në qendrën turistike Brezovica.

Ministrja e Mjedisit dhe planifikimit hapësinor Albena Reshitaj tha se anulimi i këtij vendimi është i domosdoshëm.

“Anulimi i këtij vendimi është i domosdoshëm, sepse pranë departamentit të shpronësimit kanë aplikuar shumë pronarë, të cilët kërkojnë kompensimin e pronave dhe në gjykata, janë ushtruar ankesa për rritjen të çmimit. Kështu që me anulimin e tij evitohet pasojat në gjykata dhe obligimet financiare”, tha Reshitaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka kërkuar që të miratohet kërkesa e tij për lehtësimin e një procedure, për shpejtimin e importit për gazra medicinal të kualitetit të lartë, qysh parashihet në ligj.

“Pas shqyrtimit të situatës së inspektorati të shëndetësisë dhe inspektoratit farmaceutik kanë konstatuar se institucionet shëndetësore në Kosovë përdorin gazra medicinale të paautorizuara. Sipas ligjit inspektorati ka nxjerrë vendimin për largimin nga qarkullimi të këtyre produkteve medicinale dhe kjo e ka krijuar një pasojë, ku është krijuar një mungesë akute e gazrave medicinale, cilësisë dhe nevojitet importi i tyre i menjëhershëm. Për të lehtësuar importin, ligji për produkte dhe paisje medicinale autorizon ministrin e Shëndetësisë që ta aprovojë importin e tyre me procedurë të thjeshtuar dhe të raportojë këtë qeveri”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se duhet të veprohet sa më shpejt, me qëllim që mos rrezikohen dhe më tutje qytetarët e vendit.

“Ka qenë një mobilizim i jashtëzakonshëm i juaj në MSh dhe po i gjithë neve që këto lajme shqetësuese që pasuan dhe të gjitha ato që ndodhen të marrim veprime jo vetëm në sanimin e këtyre lajmeve të këqija e tragjike për qytetarët. Por, jo vetëm kaq. Të mos i rrezikojmë më tutje njerëzit e vendit”, tha Haradinaj.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete financiare për Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së për rregullimin e protezave në vlerë 478 mijë r 876 euro, si dhe 50 mijë euro për rehabilitim të invalidëve të luftës.

Qeveria po ashtu ka ndarë mjete financiare në shumën prej 356 mijë 300 euro për renovimin e shkollës “Musa Hoti”, në komunën e Mitrovicës, pas dëmtimeve nga zjarri. Qeveria ka ndarë mjete edhe për ngrohtoren e Gjakovës në vlerë prej 200 mijë eurove./KP