Mediat serbe vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje pjesëmarrësve të Kosovës në Lojërat Olimpike.
Shenjëtarja Urata Rama, është eliminuar nga Lojërat Olimpike. Përfaqësuesja e Kosovës nuk arriti pikët për të siguruar kalimin tutje. Ajo përfundoi garën me 402 pikë.
Pas 4 serive me nga 10 gjuajtje arriti rezultatin përfundimtar me 402.3 pikë. Nga 51 garuese përfundoi e 48-ta. Rekordi i saj mbetet 409.4 pikë.
Eliminimin e Urata Ramës nga ‘Rio 2016’ e ka raportuar “B92”, që ka krahasuar rezultatin e kosovares me atë të garueses serbe, Tatjana Dekanovic, e cila përfundoi 13 pozita më lartë se sportistja kosovare.
“Dekanovic zuri vendin e 35’të në garat e shenjëtarisë, ndërsa kosovarja Urata Rama e 48’ta nga 51 konkurrentë”, shkroi “B92”.
Kujtojmë se momentalisht nga ekipi i Kosovës është duke zhvilluar garën çiklisti Qëndrim Guri. /Express/

