Sport

Edhe Everton kërkon Fernando Llorente

Everton është duke kërkuar që “të rrëmbejë” para Chelsea sulmuesin e Swansea, Fernando Llorente.

Shefi i Chelsea, Antonio Conte ka shprehur interesimin që disa muaj për Llorente dhe ka dashur të arrijë marrëveshje në janar.

“The Blues” kërkojnë që të kryejnë transferimin para se të përfundojë afati kalimtar, të enjten e ardhshme.

Por, Conte tash do të përballet me konkurrencën nga rivali i Premier League, Everton.

ESPN shkruan se Everton synon të sjellë në radhët e veta Llorente.

Ronald Koeman dëshiron një tjetër sulmues në radhët e skuadrës, pas kalimit të Romelu Lukaku për 75 milionë funta në Manchester United.

Everton dhe Chelsea tash duket se “do të luftojnë kokë më kokë” për të arritur marrëveshje me Llorente.

Swansea nuk janë edhe aq të interesuar për të lënë të lirë futbollistin spanjoll, por ESPN shkruan se klubi mund ta shesë nëse do të ketë një ofertë të majme për 32-vjeçarin.

Llorente ka pasur një sezon impresiv për Swansea sezonin e kaluar, duke shënuar 15 gola në Premier League.

Ish-ylli i Sevilla pritet të jetë serish në formë këtë fundjavë pas një pushimi, por mbetet të shihet se për cilën skuadër ai do të luajë./KosovaPress/