Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka promovuar sonte librin “Debutimi i Artë”, me rastin e njëvjetorit të medaljes së artë të Majlinda Kelmendit, të fituar në “Rio 2016″.
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik, Shasivar Haxhijaj, ka thënë se nuk ka fjalë që e përshkruan më mirë debutimin e Kosovës në Lojërat Olimpike se sa “Debutimi i Artë”, dhe ka sqaruar se libri është një fotoreportash kushtuar rrugëtimit të ekipit të sportistëve të Kosovës me protagonistë kryesor Majlinda Kelmendin dhe Driton Kukajn.
“Jo rastësisht e zgjodhëm këtë titull, pasi nuk ka fjalë më të mirë që e përshkruan debutimin e Kosovës në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’. Arsyeja pse kemi zgjedhur ditës e sotme që ta promovojmë edhe zyrtarisht këtë libër, është padyshim përvjetori i parë i medaljes së artë të olimpike të Kosovës, një sukses historik, të cilin duam ta festojmë dhe ta kujtojmë përherë”, tha ai.
Xhudistja Majlinda Kelmendi, është shprehur se 7 gushti ka me qenë ditë historike për Kosovën pavarësisht sa kohë do të kalojë.
“Është kënaqësi shumë e madhe, për mua me qenë sot këtu. Nuk e mohoj asnjëherë që më gëzon shumë fakti që protagonistja e kësaj date historike jam unë. E kam cekë që nuk më kish ardhur mirë nëse dikush tjetër para meje ia kish sjellë Kosovës medaljen olimpike. Kështu që, gëzimi im, kënaqësia dhe nderi është edhe më i madh kur e mendoj se medalja është e artë”, u shpreh ajo.
E pyetur se cila është data më e rëndësishme për të, ajo e ditëlindjes apo fitores së medaljes së artë, Majlinda u shpreh se mbetet 7 gushti data më e veçantë për të.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se fitorja e xhudistes Majlinda Kelmendi, ka një rëndësi të veçantë për mbarë popullin shqiptar, pasi që siç tha ai, kudo që përmendet emri Majlinda, kujtohet Kosova.
“Olimpiada e Rios do të mbahet në mend edhe për medaljen e parë Olimpike për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, e fituar nga xhudistja Majlinda Kelmendi. Anok do të ndajë për Majlindën dhe për Komitetin Olimpik të Kosovës shpërblimin ekuivalent me çmimin Oskar, që ndahet për realizimet më të mira në kinematografinë botërore. Por nuk ka çmim, nuk ka titull e epitet, nuk ka mirënjohje e falënderim që iu del hakesh Majlindës e Tonit. Lum Kosova që iu ka”, tha Hasani.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u shpreh se Kosova krenohet dhe Qeveria do të përkushtohet edhe më tej të jap kontributin e saj.
“Falë përkushtimit dhe punës së Majlindës dhe trajnerit të saj të shkëlqyeshëm Dritonit, Kosova fitoi medaljen e artë olimpike në vitin 2016. Ne krenohemi si Kosovë dhe si Qeveri do të jemi të përkushtuar që të punojmë së bashku, dhe përkushtimi i Qeverisë me këto federata kanë dhënë këtë rezultat”, u shpreh ajo.
Ndërsa trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kukaj u shpreh i befasuar nga botimi i librit me fotografitë e “Rio 2016”. Në fjalën e tij, Kukaj tha se më 2016, Majlinda ka fituar çdo titull përderisa u shpreh se vlerëson kontributin e gjithë atyre që i kanë mbështetur gjatë rrugëtimit për në Olimpiadë.
Ndryshe, kjo është medalja e parë e artë që një sportist nga Kosova ka fituar në Lojërat Olimpike, raporton KosovaPerss.