Partia e Kadri Veselit e ka mbajtur konferencën e tretë duke prezantuar fakte se si Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje kanë degraduar Komunën e Prishtinës. Në të tri konferencat kanë prezantuar dokumente, fotografi e emra se janë keqpërdorues. Por, PDK ende s’e ka bërë asnjë hap më shumë. Asnjë prej këtyre dokumenteve nuk i ka dërguar në Prokuroi. Por, kanë thënë se lënda kundër Ahmetit është më e gjerë se 72 dosjet e Isa Mustafës të deponuara në Prokurori nga Vetëvendosje.
PDK e Prishtinës ka zgjedhur tri të diela rresht për të prezantuar pretendimet për keqpërdorime që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Shpend Ahmetit në kryeqytet.
Në konferencën e parë ata kanë prezantuar punësimin e anëtarëve të Vetëvendosjes, në konferencën e dytë PDK e Prishtinës akuzoi Shpend Ahmetin dhe vartësit e tij për kompleksin “Kodrina”, ndërsa sot kanë prezantuar punësimet në fushën e arsimit në Prishtinë.
Përkundër prezantimeve, deri më tani asnjë nga këto lëndë nuk është deponuar në prokurori.
“Këto dosje janë duke u përpiluar për t’i dërguar në Prokurori”, bën të ditur ministrja e Drejtësisë në detyrë, Dhurata Hoxha.
Ajo thotë se keqpërdorimet që janë bërë në Komunën e Prishtinës gjatë qeverisjes së Shpend Ahmetit tejkalojnë numrin 72 të dosjeve që Ahmeti i kishe deponuar në Prokurori për punësimet, ndërtimet pa leje dhe korrupsionin gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, raporton Express.
“Fusha e keqpërdorimeve fatkeqësisht në Komunën e Prishtinës është aq e madhe saqë e tejkalon edhe atë numrin e famshëm të dosjeve të cilat i kishte përgatitur Shpend Ahmeti, numrin 72. Pra, qysh tani e tejkalon atë numër të veprave penale dhe dosjeve të cilat i kemi përgatitur. Vazhdimisht po pranojmë prova dhe fakte qoftë edhe nga qytetarët dhe këto po konfirmohen, prandaj edhe institucionet e drejtësisë do ta bëjnë punën e tyre që t’i hetojnë gjitha këto keqpërdorime që kanë ndodhur dhe po vazhdojnë të ndodhin në Komunën e Prishtinës”, tha Hoxha gjatë konferencës, transmeton Express.
Gjetjet e PDK-së nga dy konferencat e para, zyrtarët e Vetëvendosjes i kanë mohuar dhe i kanë quajtur rrena.
Madje i kanë bërë thirrje vetë prokurorisë që t’i hetojnë këto rrena. Ndërsa pas konferencës së sotme për punësimet në fushën e arsimit ende nuk ka reaguar asnjë zyrtar i Vetevëndosjes.
Pas dy konferencave të para zyrtarë të PDK-së dhe VV –së vazhdimisht kanë akuzuar njëra-tjetrën për korrupsion e keqpërdorime, madje së fundi ata kanë hapur edhe debatin për vrasjet politike të pasluftës. /Gazeta Express





















