Prishtina nuk ka pranuar ofertën e skuadrës italiane, Genoa, për ta luajtur një ndeshje miqësore në fillim të gushtit. Bardh e kaltrit shpresojnë që këtë miqësore ta zhvillojnë më vonë, shkruan Express.
Në vazhdim mund ta lexoni njoftimin e plot të Prishtinës
Pas ftesës së ardhur nga klubi i madh italian, Genoa, Bordi drejtues i FC Prishtina ka shqyrtuar dhe duke parë të gjitha rrethanat ka marrë vendim.
Së pari falënderon klubin italian Genoa për gatishmërinë e saj që me ndeshje miqësore të nderoj FC Prishtinën që do të duhej të zhvillohej më 6 gusht. Kjo ndeshje, me mirëkuptimin edhe të skuadrës së Genoas, shtyhet për një moment më të volitshëm ku data do të caktohet me rastin e vizitës së përfaqësuesve të klubit Genoa në Prishtinë më 9 gusht.
FC Prishtina iu njofton se shtyrja e datës së zhvillimit të kësaj miqësoreje është bërë për mungesë të infrastrukturës ku do të mund të zhvillohej kjo ndeshje, sepse stadiumi i qytetit ende është në rinovim e sipër.
Ndërsa, alternativa e vetme, stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, me rastin e ndeshjes me Norrkoping, na ka bindur se është shumë vështirë dhe gati e pamundshme të zhvillohet atje. Arsyet janë të shumta si distanca relativisht e madhe, punimet në rrugë dhe vështirësitë e mëdha që adhuruesit tanë prishtinas të na ndjekin nga afër.
Andaj, pas përfundimit të punimeve në stadiumin tonë edhe ndeshje do të bëhet e mundur dhe për datën e zhvillimit të kësaj ndeshje ju njoftojmë me kohë.