Prishtina nuk ka arritur që ta realizojë ëndrrën e saj për kualifikim në rrethin e parë në Europa League, pasi është mposhtur nga Norrkopingu i Suedisë me rezultat 1-0 (6-0).
Takimi i sotëm u zhvillua në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Prishtina gjatë gjithë takimit ishte më e mirë se Norrkoping, por që nuk arriti të realizojë asnjë rast.
Kurse Norrkopingu të vetmin rast që ka pasur e ka realizuar, në minutën e 71, me golin e shënuar nga Sebastian Andersson.
Prishtina pati tre raste të mira, në minutën e 60, rastin më të mirë e pat Khalid, i cili nga një pozitë e mirë, nuk arriti të shënojë, pasi topi i tij preku vetëm rrjetën e jashtme të portës.
Prishtina e pat rast të mirë për të shënuar në minutën e 37, kur goditja e Maxhunit nga 30 metra kaloi pranë shtyllës së portës së suedezëve. Një rast tjetër pati edhe Liridon Leci në minutën e 25, por që goditja e tij më kokë, nuk gjeti portën kundërshtare.
Tre lojtarë të Prishtinës u ndëshkuan me kartonë të verdhë, Boshnjaku, Fetahaj dhe Osmani.
Trajneri i Prishtinës në pjesën e dytë bëri tre zëvendësime, duke futur në lojë Osmanin, Baftiun dhe Sekiraqen në vend të Fetahajt, Maxhunit dhe Pefqelit. Edhe mysafirët kanë bërë zëvendësime, duke futur në lojë Eliasson dhe Thorasinsson dhe nga loja dolën Sampsted dhe Hadenius.
Prishtina dhe Norrkoping u takuan në ndeshjen kthyese të rundit të parë kualifikues për Europa League. Takimin e parë Prishtina e ka humbur 5-0, duke arritur rezultatin e përgjithshëm 6-0.
Ky është takimi i parë historik i Prishtinës dhe Kosovës, pasi për herë të parë një klub nga Kosova është paraqitur në garat e Europa League./KosovaPress/