Ligjvënësit republikanë në Senat, të enjten, bënë publik planin e tyre për të reformuar sistemin e sigurimeve shëndetësore të miratuar gjatë kohës së presidentit Obama, që njihet gjerësisht me emrin “Obamacare”.
Projektligji i ri mund të votohet në Senat ndoshta që javën tjetër. Duke shpallur projektligjin, kryetari i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, tha se do të ketë kohë të mjaftueshme për të zhvilluar diskutime rreth tij. Demokratët i kanë kritikuar republikanët se e hartuan projektligjin në mënyrë sekrete.
Duke folur sot, kreu i demokratëve të pakicës në Senat, Chuck Schumer tha se projektligji do të jetë më i kushtueshëm dhe do të lërë miliona amerikanë pa mbulim. Dhoma e Përfaqësuesve paraqiti variantin e saj para disa javësh, i cili u kritikua për shkurtime të thella të programeve të sigurimit për shtresat e varfra.
Sipas një vlerësimi me këtë variant, 23 milionë amerikanë do të humbitnin sigurimet shëndetësore. Varianti i senatit ende nuk është analizuar. Republikanët janë angazhuar për 7 vjet, që nga viti 2010 kur doli plani Obamacare për të ndryshuar atë. Tani që ata kanë kontrollin si të Shtëpisë së Bardhë edhe të të dy dhomave të kongresit është mundësia më e mirë për ta ndryshuar planin. Shpenzimet për sistemin e kujdesit shëndetësor zënë një të gjashtën e ekonomisë amerikane. /voa/