Sot shënohet 36-vjetori i rënies së Nebih dhe Tahir Mehës, të cilët nga kulla e tyre në Prekaz, iu kundërpërgjigjen me armë policisë dhe ushtrisë jugosllave që kishte shkuar t’i arrestonte.
Në mëngjesin e 13 majit 1982, forca të mëdha policore dhe ushtarake kishin rrethuar kullën e Nebih dhe Tahir Mehës, të cilëve u kërkuan që të dorëzoheshin, por në vend të dorëzimit, ata iu përgjigjen me të shtëna të pushkëve, ku luftimet zgjatën për tërë ditën, deri në orët e mbrëmjes.
Në luftime heroikisht kanë rënë Nebihu dhe Tahiri, kurse të vdekur kanë mbetur edhe disa polic serbë, numri i saktë i të cilëve nuk është bërë i ditur asnjëherë.
Për nder të dëshmorëve Meha, Komuna e Skenderajt ka njoftuar se mbahen aktivitete përkujtimore. Do të mbahen homazhe tek varrezat e të rënëve në ora 11:00, ndërsa në ora 11:30 pranë kullës muze të Tahir Mehës mbahet aktivitet përkujtimor ku do të bëhet dorëzimi i certifikatave të statusit të dëshmorit për Tahir dhe Nebih Mehën, si dhe për dëshmorët e tjerë./KosovaPress/