Sport

Xhudistët takohen me Haradinaj, kërkojnë përkrahje për rrugëtimin në Lojërat Olimpike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka pritur në takim xhudistët dhe trajnerin e tyre, Driton Kukën, ku ua shprehi mirënjohjen për ngritjen e vendit në këtë sport, përmes 21 medaljeve të fituara gjatë këtij viti.

Në këtë takim, ishim të pranishëm xhudistët Majlinga Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova, trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

“Gjeneratës së artë të xhudos me normë olimpike të prirë nga strategu Driton Kuka, pata kënaqësinë t’i shpreh mirënjohjen dhe konsideratat më të thella, për ngritjen e Kosovës në brend botëror në këtë sport”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Vetëm këtë vit i kanë sjellë vendit 21 medalje, duke e lartësuar flamurin tonë. U zotova se heronjtë tanë, që na bëjnë krenarë dhe na japin vullnet për të tejkaluar të gjitha sfidat që Kosova i ka përpara, nuk do t’i lëmë vetëm në këtë maratonë suksesesh, duke u krijuar me urgjencë kushte të volitshme infrastrukturore”.

Për këtë takim ka treguar edhe trajneri i xhudistëve, Driton Kuka, i cili ka thënë se ata morën premtimin për përkrahje shtesë për rrugëtimin drejt Lojërave Olimpike 2020.

“Ekipi Olimpik në krye me Kryetarin e Federatës sonë Agronin sot u pritëm dhe diskutuam rrugëtimin tonë drejt Lojërave Olimpike 2020! Mikpritje e ngrohtë për ne, morëm premtim për përkrahje shtesë për 5 e madhe të ekipit tonë”, ka shkruar Kuka në Facebook.

Kuka ka gëzuar sukses dhe vlerësim të madh ndërkombëtar duke i udhëhequr xhudistët kosovarë drejt arritjeve të mëdha në sportin e xhudos në botë. Me tri medalje të arta të fituara nga Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, si dhe një të argjendtë të fituar nga Nora Gjakova, Kosova ishte vendi më i suksesshëm, i pari në turneun Grand Prix këtë muaj në Tashkent të Uzbekistanit. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli