Pasi që lëndimi në krahun e djathtë ia pamundësoi të paraqitej si futbollist në ndeshjen e mbrëmshme kundër Interit, Lionel Messi u bë një nga tifozët në tribunat e Camp Nou, duke i festuar golat me krahun e djathtë të lidhur.
Faqja zyrtare e Barcelonës e ka publikuar një video në Instagram, ku janë grumbulluar reagimet e argjentinasit ndaj aksioneve të klubit të tij, përfshirë këtu edhe golin e parë të ndeshjes, të shënuar nga Rafinha.
Barcelona ka arritur ta marrë pozitën e parë në grupin B të Ligës së Kampionëve pas ndeshjes së mbrëmshme kundër Interit në Camp Nou. Këtë ndeshje, katalonasit e fituan me rezultat 2-0, falë golave nga Rafinha dhe Jordi Alba.
Ylli i Barcelonës u detyrua të largohet nga fusha në ndeshjen kundër Sevillës qysh në minutën e 15-të, pasi që e kishte lënduar krahun e tij të djathtë. Për shkak të këtij lëndimi, Messi do të mungojë edhe në ndeshjen kundër Real Madridit, të dielën në orën 16:15. /Gazeta Express/