Aktuale

120 deputetët e Kuvendit të Kosovës japin betimin

Seanca konstituive e Kuvendit ishte paraparë që të fillojë në orën 10:00. Por ajo u shty për pak minuta pasi që në seancë u vonuan deputetët e PAN-it.

E në seancën ku ishin deputetët e Vetëvendosjes, të LAA dhe të minoriteteve jo serbe mungonte edhe deputetja Teuta Rugova.

Në bazë të rregullores së Kuvendit, seancën e kryeson deputeti më i vjetër në moshë dhe ai më i ri.

Adem Mikullovci mori asistencë nga Qëndron Kastrati, që sipas radhës është pak më i vjetër se Teuta Rugova që mungonte.

Seanca nisi edhe pa deputetët e PAN-it të cilët erdhën në seancë tek pasi që u formua komisioni për verifikimin e mandateve të deputetëve.

Pas një ore deputetët e koalicionin që fitoi zgjedhjet e 11 qershorit erdhën në sallë por kërkuan që të shtyhet seanca për dy orë pasi që iu duhen konsultime.

Përfaqësuesi i PAN-it Enver Hoxhaj e bëri këtë propozim pas betimit të 120 deputetëve, teksti i betimit, i cili u lexua nga kryesuesi Adem Mikullovci e i cili tekstit të betimit ia shtoi “betohem me zemër”.

Deputetët e VV-së betimin e bënë si gjithnjë para flamurit kombëtar.

“Ne si koalicion i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kërkojmë që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për dy orë, meqë na duhet konsulta shtesë me partnerët e koalicionit dhe pas dy orësh, në orën 14:00 do të kthemi në sallë dhe do ta japim kandidatin tonë për kryetar të Kuvendit. Në këtë drejtim ne kemi nevojë për një pauzë dhe pasi ta kryejmë drekën do të kthemi në sallë”, tha Hoxhaj.

Propozimi i Hoxhajt është hedhur në votim por nuk ka marrë votat e shumicës së deputetëve.

Propozimi i Hoxhajt mori votat e 60 deputetëve ndërsa 60 nga ta ishin kundër. E vetmja që votoi për propozimin e PAN-it ishte Teuta Rugova nga LDK-ja.

Mirëpo, kryesuesi i Kuvendit dhe deputeti i LVV Galuk Konjufca, fillimisht ishin kundër këtij propozimi të deputeti Hoxhajt për shtyrje të seancës.

Konjufca tha se krejt çka po kërkon PAN është të marrin kohë vazhdimisht dhe që të bllokojnë konstituimin e institucioneve të Kosovës.

“Ajo çka kërkoi Hoxhaj sot është që pas dy muajve që I patën deri tash për me i bërë marrëveshjet dhe pazaret që i gjithmonë e dinë më së miri dhe ia kanë marrë dorën shumë, këtyre po ju nevojitet që këtyre dy muajve me jau shtu edhe dy orë. Kjo është jo serioze, me të vërtet ajo çka tregon kërkesa e tyre është më shumë mungesa e deputetëve të tyre me zgjedhur kryetarin e ardhshëm të kuvendit të Kosovës. Të gjithë e dimë se ky kandidat do të jetë përafërsisht ashtu siç kanë shpjeguar zyrtarët e tyre, Kadri Veseli dhe dihet tashmë që shumica e deputetëve të këtij Kuvendi do të votojnë kundër kësaj figure kontroverse politike. Pikërisht për këtë arsye këtyre nuk do t’iu mjaftojnë as dy orë të tjera, pas dy orëve do t’i kërkojnë edhe dy orë të tjera dhe nuk do të ndalen kështu për me shtyrë konstituimin e institucioneve të Kosovës”, tha Konjufca.

Ndërsa, edhe pse me këtë rezultat, propozimi u hodh poshtë, PAN-i refuzonte të jepte emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, dhe më pas Mikullovci e shpalli të mbyllur seancën.

“Votat janë numëruar , votat janë konfiguruar, është 60 me 60. Propozimi anulohet sipas Kushtetutës. Me kaq unë këtë mbledhje e mbylli”, theksoi Mikullovci.

Në seancën konstituive në mesin e mysafirëve të ftuar ishte edhe Ukë Rugova, djali i dytë i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, guvernatori i BQK-së Bedri Hamza, kryetari i KMDLNj Behxhet Shala, si dhe përfaqësues të BIK-ut dhe të Kishës Katolike.

Pas kësaj përmbyllje që duket ishte e pa qëllimtë nga kryesuesi i seancës, seanca pritet të vazhdojë në orën 15:00.

the authorE B