Sport

100-milionëshi Wenger

Arsene Wenger e ka çuar një jetë tek Arsenali. Së fundmi, trajneri francez e nënshkroi një kontratë të re dyvjeçare me “Topçinjtë”. Ai është pjesë e klubit nga “Emirates” qe 21 vjet. Në kontratën e parë fitonte 500,000 funte në vit, kurse të ardhurat e tij tashmë janë shtuar në 8 milionë funte në vit. Deri më tash ai i ka fituar 100 milionë funte në Londër

Arsenali e ka zyrtarizuar të mërkurën kontratën e re dyvjeçare, të cilën do ta zgjasë qëndrimin e francezit deri në vitin 2019, shkruan sot gazeta Zëri.

Fitorja në finalen e kupës FA të dielën ndaj Chelseas siç duket e ka bindur bordin e klubit londinez që t’ia vazhdojnë kontratën, pavarësisht dështimit për të siguruar një vend për Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.

Pritet që Wenger do të fitojë një pagë prej 8 milionë funtesh, pagë kjo shumë më e madhe sesa ajo e vitit 1996 kur francezi kishte arritur në Londër për herë të parë dhe paguhej rreth 500.000 funte në vit.

Për çdo marrëveshje të re Wengeri ka përfituar një pagë më të madhe. Me kontratën e re i bie se ai ka përfituar rreth 100 milionë funte që prej ardhjes së tij në Arsenal.

Ne do t’i rishikojmë të gjitha kontratat e nënshkruara nga Wengeri, përfitimet e tij, çfarë ka premtuar dhe arritjet e tij?

1996 – Kontrata e parë

Marrëveshje trevjeçare me një vlerë prej 500.000 funtesh në vit.

Ka pasur disa kundërshtime brenda klubit kur Arsenali vendosi që ta zëvendësojë trajnerin e shkarkuar Bruce Rioch me Wengerin, në vjeshtën e vitit 1996.

“Kush është Arsene?”, ishte reagimi i disa prej tifozëve. Një trajner i panjohur i cili kishte drejtuar klubin e Nagoya Grampus në Japoni.

I zyrtarizuar nga klubi më 22 shtator Wengeri nënshkroi një kontratë trevjeçare.

Duke u prezantuar për herë të parë para shtypit anglez, Arsene deklaroi: “Arsyeja kryesore e ardhjes këtu është se unë e dua futbollin anglez, rrënjët e kësaj loje janë këtu. Më pëlqen shpirti i lojës këtu, më pëlqen shpirti i Arsenalit dhe shoh potencial tek ky klub”.

Në edicionin e parë Wengeri e udhëhoqi Arsenalin drejt Premierligës dhe kupës FA, duke e treguar kështu veten e tij.

1998 – Rinovim i kontratës deri në vitin 2002

Një marrëveshje me një vlerë prej 1.2 milion funtesh në vit.

Wenger u shpërblye për sukseset e tij të hershme gjatë edicionit 1997/1998 me një rinovim të kontratës deri në vitin 2002 dhe gjithashtu me një rritje page.

Pas nënshkrimit të kontratës Wenger deklaroi: “E ardhmja është e thjeshtë. Ne duhet të tregojmë se mund të konkurrojmë në nivelet më të larta dhe të mbesim në top-tre apo top -katër ekipet e ligës angleze për një kohë të gjatë”.

Trofetë e fituara: Superkupa angleze 1999.

2001 – Kontratë e re deri në vitin 2005

Marrëveshje katërvjeçare me një pagë vjetore prej 2 milionë funtesh në vit.

Pas titujve të dyfishtë në vitin 1998 suksesi nuk ishte aq i madh për Arsenalin, me ekipin e Sir Alex Fergusonit, Manchester United e cila dominoi për disa sezone.

Arsenali ishte shumë afër titullit në vitin 1999, por në vitin 2000 dhe 2001 mbeti 18 pikë mbrapa, respektivisht 10. Gjatë nënshkrimit të kontratës së re ai deklaroi: “Kam vendosur që të qëndroj sepse besoj se kam një grup lojtarësh, të cilët i admiroj dhe i respektoj”.

Trofetë e fituara: Premierligën 2001/2002, 2003/2004, Kupën FA 2001/2002, 2002/2003 dhe Superkupën angleze 2002.

2004 – Kontratë e re deri në vitin 2008

Marrëveshje katërvjeçare me një vlerë prej 2.5 milionë funtesh në vit.

Fjalët e Wengerit në vitin 2001 dolën të sakta, me fitimin dy herë të Premierligës dhe kupës FA gjatë atij edicioni, me një tjetër triumf në kupën FA në vitin 2003.

Suksese edhe më të mëdha do të arriheshin në edicionin 2003/2004, kur ekipi i Wengerit e fitoi titullin e ligës pa asnjë humbje.

“Nënshkrimi i kontratës së re tregon dëshirën time që të vazhdoj përpara me këtë klub dhe t’i arrij synimet e mia. Kam ende për të fituar”.

Trofetë e fituara: Kupën FA 2004/2005, Superkupën angleze 2004.

2007 – Kontratë e re deri në vitin 2010

Marrëveshje trevjeçare me një vlerë prej 5 milionë funtesh në vit.

Pavarësisht mungesës së titullit të ligës prej vitit 2004 kishte shenja të progresit, derisa londinezët kërkonin triumfin në Evropë.

Ata arritën në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2006, duke humbur ndaj Barcelonës me rezultatin 2-1.

Ata gjithashtu fituan përsëri trofeun e kupës FA në vitin 2005, por më pas do të fillonte dominimi i Chelseat dhe Manchester United. Pas rinovimit të kontratës francezi tha: “Zemra ime është e lidhur me këtë klub, nënshkrimi i kontratës së re gjithmonë ka qenë qëllimi im. Arsenali është jeta ime”.

2010 – Rinovimi i kontratës deri në vitin 2014

Kontratë trevjeçare me një vlerë prej 6 milionë funtesh në vit.

Por edhe pse me një përkrahje të madhe të tifozëve, frustrimi do të rritej pasi Arsenali dështoi që ta fitojë ligën angleze.

Një sukses evropian dështoi me humbjen në gjysmëfinale ndaj Manchester United në vitin 2009. Me shpenzimet për stadiumin e ri, Arsenali ndihej komod me një pozicion në top-katërshen e ligës angleze. Gjatë nënshkrimit të kontratës në vitin 2010, Wenger tha: “Zemra ime i përket Arsenalit dhe dëshira ime është që ta shoh këtë ekip duke fituar”.

Trofetë e fituara: Kupa FA 2013/2014, Superkupa angleze 2014.

2014 – Kontratë trevjeçare deri në vitin 2017

Marrëveshje trevjeçare me një pagë prej 7.5 milionë funtesh për vit.

Pas pensionimit të Fergusonit, Wenger u bë trajneri më jetëgjatë në futbollin anglez, duke arritur shifrën prej 1000 ndeshjesh me Arsenalin. Pas nënshkrimit të kontratës ai deklaroi: “Klubi gjithmonë më ka besuar dhe u jam mirënjohës për këtë. Kemi kaluar disa periudha fantastike dhe disa periudha kur është dashur të qëndrojmë së bashku”.

Trofetë e fituara: Kupa FA 2014/2015, 2016, 2017, Superkupa angleze 2015.

2017 – Kontratë e re deri në vitin 2019

Marrëveshje dyvjeçare me një vlerë prej 8 milionë funtesh në vit. Do të shohim gjatë kësaj jave se si do të deklarohet pas këtij rinovimi.

Vazhdimi i tij me Arsenalin i ka ndarë tifozët në dysh, me një pjesë të tifozëve që kanë protestuar kundër tij.

Pavarësisht kësaj, bordi i Arsenalit ka vendosur – Wengeri do të vazhdojë me klubin londinez. /Zëri/