Mesfushori i Manchester Cityt, Bernardo Silva, ka nxitur debat para derbit të qytetit, i cili do të zhvillohet brenda më pak se dy javëve, pasi që ka bërë të ditur se nuk e konsideron Manchester Unitedin rival për titullin e Premierligës.
Dy ekipet rivale të Mançesterit do të takohen në stadiumin Etihad të dielën më 11 nëntor. Manchester City është për momentin në pozitë të parë, me pikë të barabarta me Liverpoolin, plot nëntë pikë para Manchester Unitedit, transmeton Gazeta Express.
Skuadra e Jose Mourinhos nuk e ka filluar sezonin e ri në mënyrën më të mundshme, pasi që tashmë i ka humbur tri ndeshje këtë sezon. Ata pozicionohen në pozitën e tetë të tabelës së Premierligës dhe kjo situatë mund të përkeqësohet edhe më shumë pas derbit.
Kur ylli portugez i Manchester Cityt u pyet për klubet që i konsideron si rival të skuadrës së Pep Guardiolës për titullin e këtij sezoni të Premierligës, Silva nuk e përmendi Manchester Unitedin.
“Mendoj se ose Chelsea ose Liverpooli, ata janë shumë të fortë. Edhe Arsenali gjithashtu, madje edhe Tottenhami. Edhe pse ata humbën sonte kundër nesh, ata ende janë në garë për titull”, ka thënë Silva pas ndeshjes ndaj Tottenhamit, të cilën e fituan me rezultat 1-0.
“Mendoj se do të jetë më e vështirë këtë sezon sesa sezonin e kaluar pasi që askush nuk priste që ne t’i fitonim të gjitha ato ndeshje dhe t’i merrnin të gjitha ato pikë, kështu që këtë sezon, skuadrat e tjera e dinë se duhet të bëjnë më shumë për të na mposhtur”.
“Natyrisht që do të jetë e vështirë, por ne do të punojmë çdo ndeshje për ti marrë tre pikët në dispozicion dhe në fund të kësaj do të tentojmë ta festojmë edhe një titull tjetër të Premierligës”. /Gazeta Express/