Presidenti amerikan, Donald Trump garantoi homologun e tij rus Vladimir Putin për mbështetjen e plotë të Uashingtonit mbi përgjigjen që do t’i japë Moska atentatit të përgjakshëm në metronë e Shën Petërburgut, njoftoi dje në mbërmje Shtëpia e Bardhë.
Gjatë një bisede telefonike, Trump i paraqiti ngushëllimet dhe dënoi sulmin që shkaktoi 11 të vdekur.
“Presidenti Trump dhe presidenti Putin ranë dakord se terrorizmi duhet të mundet përfundimisht dhe sa më shpejt”, njoftoi Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.
“Presidenti Trumo i ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë amerikanë në përgjigjen që do të japë Moska ndaj atentatit vdekjeprurës në metronë e Shën Petërburgut dhe do të ndihmojë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, theksohet në këtë komunikatë.
Ky atentat, që ende nuk është marrë përsipër, vjen pasi organizata Shteti Islamik (ISIS) kishte bërë thirrje për të goditur Rusinë pas ndërhyrjes së Moskës për të mbështetur forcat e Bashar al Asadit në Siri në fund të shtatorit 2015.