Federata shqiptare e Futbollit (FSHF) vazhdon lojën e saj me futbollistët e Kosovës edhe pas pranimit të kësaj të fundit në UEFA dhe FIFA, pasi tashmë i ka bërë ftesë edhe anëtarit të U-21 dhe lojtarit të Partizanit të Shqipërisë, Ylber Ramadani
Kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po punon me gjithë kapacitetin e saj që të ftojë futbollistët më të mirë që luajnë në Evropë, për të bërë një skuadër të fortë, e cila do të ishte e denjë në kualifikimet për Kupën e Botës që fillojnë me 5 shtator kundër Finlandës, asaj po i punohet pas shpine nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Kosova tashmë ka siguruar shërbimet e Milot Rashicës, Alban Mehës, Herolind Shalës dhe Sinan Bytyqit, ndërsa është në pritje të përgjegjës së futbollistëve të tjerë që luajnë në skuadrat tjera të mëdha të Evropës.
Por, Kosovës po i punohet pas shpinës nga FSHF, pasi përzgjedhësi i U-21 të Shqipërisë, Redi Jupi i ka bërë ftesë futbollistit U-21 të Kosovës që luan të Partizani i Shqipërisë, Ylber Ramadani.
Nga ky veprim janë çuditur në FFK, kur dihen rrethanat që po kalojnë të dy këto Kombëtare dhe kur dihet që Ramadani ka qenë pjesë e U-19 dhe U-21 i Kombëtares së Kosovës
“Vërtetë jemi çuditur jashtëzakonisht shumë nga ky veprim, duke pasur parasysh rrethanat e reja të dy Kombëtareve. Ne e kemi kuptuar vetëm nga mediat që përzgjedhësi i Shqipërisë U-21 e ka ftuar Ramadanin, një lojtar që tërë jetën e tij ka qenë i lidhur me futbollin e Kosovës, duke filluar me klubet e shumta të Kosovës, e për të vazhduar me reprezentacionet U-19 dhe U-21”, tha menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala për Gazeta Express.
Bajrami e konfirmoj se Ramadani ka qenë dhe është në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Bunjaki, i cili e sheh si pjesë të projektit të kualifikimeve për botërorin ‘Rusia 2018”.
“Ajo që mund të konfirmoj është se, Ylber Ramadani është në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Bunjaki që është dërguar në UEFA, në të cilën Kosova llogarit në ndeshjet kualifikuese për botërorin ‘Rusi 2018’. Kjo nuk duhet të nënkuptohet si ftesë e menjëhershme për të, por është pjesë e projektit të përzgjedhësit Bunjaki”, tha në fund Shala.
Kujtojmë se Ramadani ende nuk ka vendosur nëse do të pranojë ftesën e Shqipërisë apo do të vazhdojë të luaj për Kombëtaren e Kosovës.