Me rastin e shënimit të 19 vjetorit të rënies së dëshmorëve të Zonës Operative të Llapit, Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi, familjarë dhe bashkëluftëtar kanë bërë homazhe tek vendi ku kanë rënë heroikisht këta dëshmorë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati tha se është e vështirë të nxirren në sipërfaqe heroizmat e lirisë por se Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi janë nderi i kombit.
“Gjaku i trimave të rënë në luftë me pushtues është dëshmia më e fortë se padrejtësia dhe shkeljet nuk i duron populli. Sot në kohën e padrejtësisë të reja duhet të jemi gati, mjafton të rikthehemi në identitetin të jemi e vetmja jonë, të dëshmojmë për origjinën nga e cila vijmë dhe të ecim drejtë qëllimit të tyre”, tha ai.
Bashkëluftëtari i tre dëshmorëve, Ismet Retkoceri ka kërkuar që të ngritët një lapidar për këta tre heronj sepse meritojnë përkujdesje të veçantë.
“Si bashkëluftëtar i Hyzris, Ilirit dhe këtyre djemve që kanë rënë kisha kërkuar që këtu të bëhet një bust të tre këtyre djemve që kanë rënë në luftë për lirinë e Prishtinës, për lirinë e Kosovës, për lirinë e popullit shqiptar, popullit të Kosovës, prandaj më 28 nëntor 99 e kemi vendosur këtë pllakë unë së bashku me shokët e luftës edhe prej atëherë 19 vjet rresht nuk kanë bërë asgjë as komuna as të tjerët sepse këta djemë e meritojnë një përkujdes të veçantë“, tha ai.
Ndërsa, bashkëshortja e dëshmorit Ilir Durmishi, Shqipe Durmishit tha në përvjetorët e rënies së këtyre dëshmorëve përveç familjarëve dhe disa bashkëluftëtarëve, askush nga institucionet nuk i viziton varrezat apo familjarët e këtyre heronjve.
“Ky është përvjetori i nëntëmbëdhjetë që përveç familjarëve edhe një numër i vogël i ushtarëve që kanë qenë bashkëluftëtarë të dëshmorëve të rënë, janë të pranishëm çdoherë, ndërsa askush prej Qeverisë asnjëherë nuk ka ardhur”, tha ajo.
E bashkëshortja e dëshmorit Hyzri Talla, Sebahate Talla është shprehur se janë krenar për më të dashurin e tyre.
“Sot u banë 19 vjet pa më të dashurit tanë…krenar jemi me ta, përjetësisht kujtimi për ta, lavdi iu çoftë…Nuk kemi vërejtje si shtet i ri me të gjitha të mirat”, tha ai.
Vajza e Afrim Maliqit, Gresa Maliqi tha se sot pas 19 viteve përsëri e përjetojnë dhimbjen për humbjen e më të dashurit të tyre, por mbi të gjitha ajo thotë se e përjeton krenarin që babi i saj u vra për lirinë e vendit.
Dëshmorët, Hyzri Talla, Ilir Durmishti dhe Afrim Maliqi kanë rënë më 2 dhjetor të vitit 1999 në Breg të Diellit në Prishtinë.
Ndryshe,gjatë ditës së sotme do të bëhen homazhe edhe pranë varreve të dëshmorëve Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi në Podujevë.