Sport

​Robben mendon pensionimin nga futbolli

Holandezi është duke konsideruar largimin nga futbolli aktiv.

Arjen Robben mendon tërheqjen nga futbolli. Sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit në karrierën e sulmuesit holandez i cili pritet të varë këpucët në gozhdë vetëm disa muaj pasi të ketë mbushur 34-vjeç.

Robben aktualisht ka dhe një vit kontratë me Bayern Munich, por ish-lojtari i Real Madridit dhe Chelseat, në një intervistë ka lënë të kuptohet se sezoni 2017/18, me shumë mundësi do të jetë i fundit në karrierën e tij të gjatë.

“Karrierës sime po i vjen fundi dhe më duhet të pajtohem me këtë”, ka thënë Robben.

“Nga dita në ditë jam duke menduar se çka do të bëj pas mbylljes së karrierës”.

“Momentalisht jam i relaksuar dhe nuk po shqetësohem për asgjë, por të shohim ndoshta do t’i jap fund në vitin tjetër”, ka përfunduar holandezi.