Ministria e Infrastrukturës vazhdon të mos respektojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për anulimin e konkursit për zëvendësdrejtorët e zgjedhur në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror që funksionon në kuadër të kësaj ministrie.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar shkelje të procedurave të përzgjedhjes së dy zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror.
KPM me një vendim, të cilin e ka siguruar redaksia kërkon anulimin e konkursit.
Kjo pasi sipas arsyetimit të vendimit ata kanë konstatuar se Ministria ka shpallur konkurs për pozitën zëvendësdrejtor për shërbime operative dhe administrative dhe financiar në ASHNA në kundërshtim me ligjin për Agjencia e Shërbimit të Navigacionit.
Sipas ligjit kompetencat, përgjegjësitë , kriteret dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e zëvendësdrejtorëve bëhet përmes aktit nënligjor të cilin e nxjerr Qeveria.
Në kohën kur është shpallur konkursi për pozitën në fjalë nuk ka pasur akt nënligjor me të cilin Qeveria të ketë plotësuar kushtin sipas dispozitës së lartshënuar për emërimin e zëvendësdrejtorëve në këtë agjenci.
Sipas vendimit të KPM-së hapja e konkursit pa u përcaktuar kriteret paraprakisht me aktin nënligjor , përbën shkelje të dispozitave ligjore , pasi që asnjë organ i administratës nuk ka mundur të përcaktojë kriteret për emërim për këto pozita, pa u nxjerr akti nënligjor.
Në lidhje me këto raste KosovaPress ka raportuar edhe më herët por zyrtarët e Ministrisë gjithnjë kanë zgjedhur të heshtin në lidhje me këto raste.
Në lidhje me këtë ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku thotë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës për këtë çështje, pasi sipas tij Qeveria përmes avokatit shtetëror rastin e ka dërguar në gjykatë.
“Plotësisht është respektua vendimi , por që Qeveria e Kosovës, natyrisht përmes avokatit shtetëror kemi bërë kundërshtim të atij vendimi në Gjykatën Themelore dhe kemi kërkuar masën e përkohshme që të mos zbatohet vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës . Ne presim një vendim të tillë dhe në përputhje me vendimin që e kemi nga Gjykata do të veprojmë më tutje “, tha Zharku.
Punësimet nëpër ndërmarrjet publike nga ana e zyrtarëve të Qeverisë shoqëria civile i konsideron me preferenca politike.
Arton Demhasaj, nga organizata jo qeveritare “Çohu”, thotë se hulumtimet që kjo organizatë ka bërë, ka dal që njerëz të punësuar në institucionet publike punësohen njerëz politik.
“Ne edhe në të kaluarën kemi zhvilluar hulumtime që kanë të bëjnë me politizimin e administratës publike. Që i bie funksionet që nuk duhet të jenë politike qysh janë ndërmarrjet publike në agjencitë e pavarura në institucionet tjera edhe ka dal që është një numër i madh i njerëzve që kanë kaluar përmes partive politike edhe që tani mbajnë pozicionet e tilla në këto agjenci , ndërmarrje të pavarura që e kanë emrin të pavarura e që duhen të jenë të pavarura. Ky një fenomen fatkeqësisht nuk është që është ndalur po vazhdon edhe tash. Po vërehet që nuk as tendencë të ndalimit , gjithmonë partitë që po janë në pushtet tendencën kryesore e kanë që militantët e tyre partiak me i punësuar pikërisht nëpër këto ndërmarrje në këto institucione që në thonjëza duhen të jenë të pavarura po që në thelb asnjë prej tyre nuk janë të pavarura”, tha Demhasaj.
Ai vlerëson se njerëzit që po emërohen nëpër ndërmarrjet publike janë njerëz joprofesional dhe nuk janë kredibil pasi që emërohen nga politika.
“Unë konsideroj që duhet të behët një ligj në Kuvend i cili duhet me ndalu këtë praktik që njerëzit që kanë qenë pjesë e partive politike mos me pas të drejtë me u bë pjesë e institucioneve të pavarura . O disi duhet të ndalet ky fenomen , për shkak se është shumë i dëmshëm dhe në njëfarë mënyre ka burim potencial edhe të zhvillimit të veprave korruptive”, tha Demhasaj.
Të gjitha punësimet dhe emërimet në institucionet e pavarura që nga viti 2008 e deri më sot, sipas ish- ministrit të Financave, Haki Shatri, janë bërë me preferenca politike.
“Pa marrë parasysh rastin e fundit Aeroportin, po për të gjitha emërimet që janë bërë prej vitit 2008 e këtej, të gjithave iu vije era që janë emërime politike ose nepotizëm. Kjo nuk do të kishte qenë shumë e dëmshme po të kishin pasur kujdes që të paktën këta njerëz që emërohen t’i plotësojnë kriteret profesionale. Të kenë një kualifikim që parashihet me ligj, të kenë kriteret që janë të parapara me ligj. Janë të parapara kriteret dhe do të ishte mirë të respektohen ato kritere, të paktën formalisht….Do të thotë kemi rezultate fatalist të dobëta. E dimë qysh e kanë menaxhuar PTK-në, e dimë çfarë po ndodhë… Fatkeqësisht edhe përkundër deklarimeve dhe atyre zhurmave që i ka bërë edhe LDK-ja gjatë kohës sa ka qenë opozitë menjëherë sapo kanë hyrë ne koalicion ata vetëm një veprim e kanë bërë, i kanë ndarë interesat dhe i kanë pjesëtuar hiset se sa njerëz te vet iu bie të emërojnë nà «për këto borde apo menaxhimet të caktuara që nuk i plotësojnë as kriteret minimale të ligjit. Dhe rezultatet po dihen”, tha Shatri.
KosovaPress ka siguruar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës me anë së cilit anulohet ky konkurs, i cili ishte shpallur më 20 maj të vitit 2016.
Vendimi për anulim ka ardhur pas ankesës së njërit nga aplikantët që ka konkurruar për pozitën e zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror.
Sipas ligjit të Agjencisë përcakton se emërimi dhe shkarkimi i zëvendësdrejtorëve duhet të realizohet përmes aktit nënligjor që nxirret nga Qeveria.
Ky akt nënligjor ende nuk është nxjerr nga Qeveria edhe pse zëvendësdrejtorët e kontestuar që nga korriku paguhen nga buxheti i Kosovës.
Sipas KPM-së, mos publikimi i emrave të përzgjedhur dhe mosdhënia e mundësisë për ankesë, në harmoni me Ligjin para se emrat të dorëzohen në Qeveri të Kosovës për aprovim është shkelje ligjore.
“Qeveria e Kosovës ka rënë në lajthitje nga ana e Ministrit, kur ka aprovuar vendimin për përzgjedhje të kandidatëve pabazë ligjore dhe në kundërshtim me të gjitha dispozitat që rregullojnë marrëdhëniet e punësimit në Kosovë. Shkelja e këtyre akteve për përzgjedhjen e kandidatëve, nënkupton shkeljen e ligjit të ASHNA-së në vazhdimësi, ngase kandidateve të përzgjedhur kundërligjshëm, u caktohet edhe kompensimi – paga (duhet të caktohet me akt nënligjor- neni 6.3 i ligjit Nr.04/L-250).”, thuhet në vendimin e KPM-së.