Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është i njohur për aftësinë e tij për të shënuar nga gjuajtjet e lira. Ai është aq i saktë saqë i ka shënuar më shumë gola (19) nga gjuajtjet e lira se sa çdo ekip tjetër në top pesë ligat e Evropës që nga viti 2014.
Përderisa Messi mungoi në top treshen e futbollistëve në garën për Topin e Artë, paraqitja e tij kundër Espanyolit të shtunën bëri që shumë tifozë të futbollit të vënë dyshim mbi këtë vendim, transmeton Gazeta Express.
Ylli argjentinas arriti t’i shënojë dy gola të jashtëzakonshëm nga gjuajtjet e lira në stadiumin RCDE për t’i ndihmuar skuadrës së tij të fitojë me rezultat 4-0. Kjo ishte hera e parë që Messi i shënoi dy gola nga gjuajtjet e lira në një ndeshje të La Ligës.
Këto dy gola bënë që tani Messi t’i ketë shënuar 19 gola nga gjuajtjet e lira që nga viti 2014, më shumë se cilido klub në top pesë ligat e Evropës gjatë të njëjtës periudhë kohore.
Klubi më së afërti statistikave të Messit është kampioni italian, Juventusi, të cilët kanë arritur të shënojnë 18 gola nga gjuajtjet e lira gjatë këtyre katër viteve të fundit.
Vendin e tretë e ndajnë Lyoni, Roma dhe Real Madridi, të cilët kanë shënuar të gjitha nga 14 gola gjatë kësaj kohe, një më shumë se Bayern Munichu. /Gazeta Express/