Sport

​Kosova me tri mungesa të mëdha kundër Kroacisë

Kombëtarja e Kosovës nuk do të jetë e kompletuar për ndeshjet me Kroacinë dhe Ukrainën, që do të luhen muajin e ardhshëm.

 

Skuadra e Albert Bunjakit do të jetë e hendikepuar pa tre futbollistë për duelin e 6 tetorit, e cila do të zhvillohet në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Lajmin e ka bërë të ditur për ‘Zërin’ përzgjedhësi i Kombëtares, Albert Bunjaki, i cili megjithatë po mundohet që mungesën e këtyre futbollistëve ta plotësojë me alternativat që ka në dispozicion.

“Ndaj Kroacisë do të na mungojnë Erton Fejzullahu, Loret Sadiku dhe Ilir Berisha”, ka thënë trajneri kosovar.

Ndër të tjera, ai e ka dhënë një lajm të mirë.

“Besoj se Enis Alushi mund të jetë në dispozicion për ndeshjet me kroatët dhe ukrainasit”.

Për ndeshjet me Kroacinë dhe Ukrainën nuk ka vetëm lajme të këqija. Kjo pasi Kosova në këto ndeshje do të mundë të llogarisë edhe në super-sulmuesin Besart Berisha, i cili nuk mundi të luante në ndeshje me Finlandën, sikurse edhe në Arbër Zenelin dhe Atdhe Nuhiun, të cilët janë në pritje të lejes nga FIFA.