Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me ftesë të homologut nga Shqipëria, Edi Rama, mori pjesë në darkën solemne të shtruar nga Qeveria e Shqipërisë për nder të arritjes në Atdhe të Ekipit Kombëtar Shqiptar nga Kampionati Evropian i Futbollit, “Francë 2016”.
Në këtë darkë, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e partive opozitare në vend, Visar Ymeri e Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të partive dhe personalitete të tjera.
Kryeministri Isa Mustafa përshëndeti të gjithë lojtarët e Kombëtares, duke shprehur respektin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës me Kombëtaren Shqiptare, për atë që ka demonstruar në Francë, ku me dinjitetin e dëshmuar bënë krenar të gjithë shqiptarët.
Në një njoftim për media, thuhet se kryeministri Mustafa ka shprehur konsiderata për tifozët shqiptarë për përkrahjen e tyre shembullore./KosovaPress/





















