Mjekësia ligjore ende nuk ka dalë me raportin e autopsisë së policit Malësor Dashi, trupi i së cilit u gjet pas gjashtë ditësh kërkime në lumin Lepenc, pasi dyshohet se ranë bashkë më kolegun e tij Armend Trena, që vazhdon të jetë i zhdukur.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, deri më sot nuk ka pranuar as raportin për veturën me të cilën dyshohet se ranë në lumin Lepenc dy policët nga Kaçaniku.
Se janë në pritje të këtij raporti, të hënën, ka konfirmuar vetë Kryeprokurori i Ferizajt, Shukur Jashari.
Ai për Gazetën Express tha se vetëm pasi të shohin këto raporte, hetuesia kosovare do të mund të dalë me një version zyrtarë rreth rrethanave që kanë mundur të shtynë në aksidentin e 10 ditëve me parë.
“Deri më tani mjekësia ligjore nuk ka dorëzuar raportin për obduksionin për Malësor Dashin, policin e zhdukur, për këtë nuk ka ende ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje. E njëjta vlen edhe për veturën, zyrtarisht ende nuk dihet se a ka qene në gjendje të rregullt apo jo, sa i përket kërkimeve për policin tjetër Armend Trenen nuk ka diçka te re”, tha Jashari në një bisedë për Express.
Në ditën e dhjetë pas këtij aksidenti, FSK, Policia dhe zhytësit tjerë vullnetarë ende nuk kanë arritur të gjejnë Armend Trenën, që dyshohet se bashkë më policin Dashi ranë në lumin Lepenc, pasi dolën nga rruga me veturën e policisë gjatë kohës sa ishin në detyrë, në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit.
Derisa, Malësor Dashi është varrosur javën që shkoi, pasi trupi i tij i pajetë u gjet në rrjedhat e lumit Lepenc, gjashtë ditë pas aksidentit. /GazetaExpress/.