Sport

​Bunjaki ironizon me De Biasin, kërkon më shumë kujdes nga Shqipëria

Albert Bunjaki ka thënë se Shqipëria ndoshta ka grumbulluar disa futbollistë nga firka se do t’i marrë Kosova.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki ka komentuar ftesën e Shqipërisë për dy lojtarët kosovarë, Eros Grezda dhe Liridon Latifi.

Ai tha se ndoshta Shqipëria i ka ftuar për arsye frikë, se mos ata zgjedhin Kombëtare tjetër.

“Çështja e lojtarëve është stabilizuar. Sa i përket Grezdës dhe Latifit, unë kam pasur kontakte, por te ne ka shumë konkurrencë në sulm, sepse kam lojtarë të një cilësie shumë të lartë. Ndoshta Shqipëria ka arsye frike që i ka grumbulluar, ne nuk e kemi më këtë strategji. Edhe Kabashin nga Barcelona e kam marrë se ka nivel të lartë, jo se kam frikë mos ikën. Është i lirë të zgjedhë çfarëdo”, tha Bunjaki për Top Channel.

Ai po ashtu kërkoi që Shqipëria të jetë pak me e kujdesshme, pasi Kosova për dallim nga vite më parë, tashmë ekziston.

“Me De Biasin kam marrëdhënie shumë të mira. Tani duhet të jemi pak të kujdesshëm në lëvizje, sepse dikur ishte ndryshe, Kosova nuk ekzistonte. Mes njëri-tjetrit ka rivalitet që na motivon, por edhe Kosova ka nevojë për ndihmë. Shumë lojtarë që tani luajnë me Shqipërinë do të ishin me ne, si Etrit Berisha apo Mavraj. Megjithatë, lëvizje nga ekipet e moshave do të vazhdojë të ketë nga Shqipëria te Kosova”. /Express/