Sport

​As shiu nuk e ndal Kombëtaren

Situata e përmbytjeve për shkak të reshjeve të shiut që kaploi vendin nuk ka ndikuar në programin e përgatitjeve të Kombëtares Shqiptare të Futbollit që është fokusuar në takimin mjaft të rëndësishëm me Izraelin.

Kuqezinjtë kanë vijuar stërvitjen në seancën e paradites në kompleksin Tropikal ku me grupin janë bashkuar dhe futbollistët që militojnë në kampionatin rus, Bekim Balaj dhe Odise Roshi që kishin mbërritur në Tiranë në orët e mbrëmjes.

Padyshim që për sa i përket sulmit, shpresat e kuqezinjve janë pikërisht te sulmuesi shkodran që vjen pas një formë impresionuese me Terek Groznin ku shënoi edhe një dygolësh kundër Zenitit të Shën Pjetersburgut duke marrë kreun e klasifikimit të golashënuesve në Rusi me 8 gola.

Për sa i përket gjendjes së grupit, Balaj dhe Roshi që kanë mbërritur të fundit fillluan stërvitjen me vaprime të diferencuara përkrah Armando Sadikut dhe Mërgim Mavrajt stërvitje të diferencuar.

Roshi ka patur një lodhje muskulore në kofshën e majtë ndërkohë që mjaft shpresëdhënës është fakti se Arlind Ajeti punoi gjatë gjithë kohës me pjesën tjetër të grupit , një konfirmim ky se ka lënë pas dëmtimin e pak javëve më parë.

Për sa i përket seancës De Biasi dhe stafi i tij janë përqëndruar më tepër në aspektin taktik, kryesisht me ndërtimin e aksioneve dhe daljet e ekipti nga mbrojtja në sulm, punën nga krahët si dhe goditjet drejt portës.

Kuqezinjtë janë stërvitur për pothuajse dy orë, ndërkohë që binte në sy dhe prania e forcave të policsë private që është angazhuar në mënyrë që skuadra të mbetet e izoluar nga cdo shqetësim dhe të punojë në qetësi të plotë.