Gareth Southgate ka bindur Federatën e Futbollit të Anglisë për ta emëruar si trajner të kombëtares angleze.
Pas një testi prej katër ndeshjeve, Southgate ka mahnitur drejtuesit e FA të cilët kanë vendosur që t’ia besojnë atij postin e trajnerit të kombëtares së ‘Tre Luanëve’, për katër vitet e ardhshme.
Ish-trajneri i grupmoshave U-21 të Anglisë, kishte marrë drejtimin e kombëtares së parë angleze, pas shkarkimit të Sam Allardyce pas skandalit të këtij të fundit, në lidhje me korrupsionin në futboll.
Në katër takime sa ka drejtuar Anglinë, Southgate ka arritur dy fitore në kualifikime për Botërorin ‘Rusi 2018’ dhe dy barazime në ndeshjet miqësore, duke përfshirë këtu edhe takimin me Spanjën i cili u mbyll 2:2.
“Jam shumë i lumtur që jam emëruar trajner i Anglisë. Sidoqoftë, unë jam i vetëdijshëm se të marrësh përsipër një punë është një arritje, ndërsa ta kryesh atë me sukses është diçka tjetër”, ka thënë Southgate pasi që ka marrë lajmin se është përzgjedhur si trajner.
Misioni i parë i Southgate do të jetë kualifikimi i Anglisë në Kampionatin Botëror të vitit 2018.