Lëvizja “Vetëvendosje” nga 32 deputetë sa kishte deri dje ka mbetur me vetëm 19, pasi i janë larguar 13 deputetë, 12 prej tyre kanë formuar “Grupin e Deputetëve të Pavarur”. Kështu, “Vetëvendosja” ka humbur primatin e partisë më të madhe parlamentare, duke dalë e treta, pas LDK-së me 27 deputetë dhe PDK-së me 23, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Të mërkurën është zyrtarizuar ndarja e lëvizjes “Vetëvendosje”, pasi 12 deputetë të saj kanë formuar grup të ri parlamentar, të cilin e kanë quajtur “Grupi i Deputetëve të Pavarur”.
Ndërsa deputetja Donika Kadaj Bujupi është rikthyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Formimi i këtij grupi parlamentar vlerësohet si ndarje përfundimtare e “Vetëvendosjes”.
Pjesë e “Grupit të Deputetëve të Pavarur” do të jenë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.
LEXO EDHE: Debati për 100-ditëshin e qeverisë ”Haradinaj” me 88 ditë vonesë
Kurse shef i Grupit është caktuar deputeti Dardan Sejdiu, i cili edhe ka dorëzuar kërkesën për regjistrimin e këtij grupi në Kuvend, shkruan më tutje “Zëri”.
“Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pranuar sot kërkesën e deputetit Dardan Sejdiu, të nënshkruar nga 12 deputetë, për krijimin e grupit të ri parlamentar, me emër “Grupi i Deputetëve të Pavarur” (GDP). Kryetar i grupit, sipas kërkesës, do të jetë deputeti Dardan Sejdiu”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.