Ish deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, gjatë një emisioni televiziv ka bërë zyrtare formimin e Forumit Qytetar të Prishtinës.
Ai në një intervistë për TV Dukagjini tha se forumi është një organizatë e pavarur joqeveritare, me anëtarësi vullnetare. Sipas tij, forumi synon që pa diskriminim të përfshijë të gjitha ata që janë qytetarë të Prishtinës dhe që e ndjejnë vetën qytetarë të Prishtinës.
Mustafa tha se qëllimet kryesore të këtij forumi janë që të zhvillohet kultura, të respektohet tradita.
“Qëllimet kryesore të forumit janë të zhvillohet kultura, të respektohet tradita dhe të sistematizohet dhe të promovohet kujtesa historike për Prishtinën. Po ashtu, ta bëjë Prishtinën qytet funksional me të cilin krenohen dhe identifikohen banorët e saj, të promovojë ngritjen cilësore dhe të ndikoj në përmirësimin e pozitës së qytetarëve në aspektin e pjesëmarrjes në qeverisje, punësim, arsim, kulturë, sport dhe të tjera. Si dhe të ndikojë në politikë, lidhur me zhvillimin e qytetit nëpërmes analizave, studimeve, raporteve dhe rekomandimeve”, tha ai./KosovaPress/