Aktuale

Zyrtarë të shtetit ngushëllojnë familjen Kelmendi

Zyrtrarë të institucioneve të Kosovës kanë dërguar telegrame ngushëllimi me rastin e vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit Ramiz Kelmendi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke ngushëlluar  familjen Kelmendi ka thënë se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën kosovare në përgjithësi.

“Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual erudit, i cili dha kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të kulturës në Kosovë. Kosova ka humbur një mendje të ndritur i cili do të përkujtohet përherë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Mustafa.

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ku thuhet se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e rëndë për kulturën dhe për letrat shqipe.

“Shkrimtari i njohur, Ramiz Kelmendi, me një sërë veprash të zhanreve të ndryshme, si: letrare, gazetareske e publicistike, është një nga themeluesit e jetës letrare e kulturore të Kosovës. Ai, me krijimtarinë e tij, ishte përkushtuar, siç thoshte vetë, të shkruante për jetën. Ramiz Kelmendi është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Kosovës, si autor që me durim ndoqi jetën e shqiptarëve të Kosovës në shekullin e tij”, thuhet në tëlëgramin nga ministri.

Ndërsa në telegramin e ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, thuhet se profesor Kelmendi ishte një atdhetar, shkrimtar dhe gazetar i shquar i Kosovës, por mbi të gjitha ishte mësimdhënës i dalluar.

“Profesor Kelmendi ishte një atdhetar, shkrimtar dhe gazetar i shquar i Kosovës, por mbi të gjitha ishte mësimdhënës i dalluar. Ai dha kontribut të madh sidomos në përgatitjen e gazetarëve të rinj, duke shënuar kështu edhe një etapë të re të arsimit: fillimin e arsimit të lartë privat. E gjithë vepra e tij jetësore dhe vlerat e larta njerëzore e bëjnë madhështore dhe të pazëvendësueshme figurën e profesor Ramiz Kelmendit”, thuhet në telegram.

Shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur shqiptar, Ramiz Kelmendi, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.