Aktuale

Zyberaj: Daçiq e ka të pamundur të bëjë betejë me Pacollin, prandaj është i frustruar

Sot, pikërisht në ditën kur Kosova po feston dekadën e parë të shtetësisë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se Burundi ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Mirëpo, për lajmi.net, Jetlir Zyberaj, shef i stafit të shefit të diplomacisë kosovare dhe zv/kryeministrit të parë, Behgjet Pacolli, e ka mohuar një lajmë të tillë.

“Secila njohje për shtetin e Kosovës është shumë e rëndësishme. Mos e harroni anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare kur është dashur të vrapohet edhe për votat e mikroshteteve të paqësorit. Pra secila njohje nga cilido shtet për Republikën e Kosovës është më shumë se e rëndësishme. Zv/kryeministri Pacolli në këtë drejtim është duke udhëhequr një proces shumë të rëndësishme dhe vital për shtetin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë Zyberaj.

Zëvendësministri Anton Berisha, më parë ka thënë për lajmi.net se nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë njohja apo mosnjohja e shteteve të llojit të Burundit, ndërsa Zyberaj thotë se ky shtet ka rëndësi të madhe për Kosovën.

“Zëvendësministri (Anton Berisha) nuk e di se si e ka menduar, por secila njohje e ka rëndësinë e vet, secila njohje është votë për Kosovën”, është shprehur ai.

Shefi i stafit të Pacollit ka thënë Ministria e Jashtme është në kontakt me Burundin dhe kjo nuk ishte asgjë tjetër veç se një përpjekje e dështuar e Daçiqit.

“Ne jemi në kontakt me Burundin, me autoritetet e këtij shteti dhe edhe kjo do të rezultojë një përpjekje e dështuar e Daçiqit në kulmin e frustrimit të tij pas njohjeve nga Madagascar, Barbados në jubileun e 10 të shtetit tonë”, ka thënë Zyberaj mes tjerash.

Më pas, Zyberaj ka thënë se Daçiq e ka të pamundur të zhvillojë betejë me Pacollin.

“Normalisht i kuptoj vështirësitë dhe frustrimin e Daçiqit sepse thënë të drejtën përkundër kapaciteteve njerëzore që posedon si shtet, e ka të pamundur të zhvillojë betejë me zv/kryeministrin e Kosovës që është personalitet i përmasave ndërkombëtare”, deklaroi ai. /Lajmi.net/