Aktuale

Zvicra do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në të gjitha fushat

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Zvicrës, Jean-Hubert Lebet. Me këtë rast ministri Hyseni i uroi ambasadorit Lebet mirëseardhje në Kosovë, duke e njoftuar për progresin që është bërë në Kosovë, si dhe për punën që po bënë MPB, në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë

Përmes njoftimit për media është bërë e ditur se në këtë takim ministri Hyseni ka veçuar angazhimin e përbashkët të dyja vendeve sa i përket bashkëpunimit në luftimin e krimit të organizuar në përgjithësi dhe në veçanti në veprimet konkrete që janë bërë sidomos në parandalimin e migrimit të pa rregullt dhe fushave me interes të përbashkët.

Ndërsa ambasadori i ri i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, falënderoi ministrin Hyseni për pritjen dhe theksoi se shteti i Zvicrës do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Ai tha se bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ministri Hyseni falënderoi shtetin e Zvicrës në përkrahjen që i ka bërë dhe po i bënë Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare për siguri dhe kërkoi mbështetjen e Republikës së Zvicrës në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. /Express