Zumba është një kombinim i kërcimit dhe aerobisë, inspiruar nga muzika latine. Disiplina Zumba ka lindur në vitet e 90’ta dhe vendlindje ka Kolumbinë, ndërsa mentorë i parë i saj ishte koreografi Alberto “Beto” Perez, i cili me lëvizje të improvizuara krejt rastësisht zbuloj këto lëvizje që bota sot i njeh si ‘super suksesi i trupit’. E veçantë e këtij stili të stërvitjes është se ka plot ritëm dhe energji, është e lehtë për t’u ndjekur dhe mbi të gjitha djeg shumë kalori. Kjo disiplinë ka nisur të bëhet e famshme edhe në Kosovë.
Shkolla e vallëzimit ‘Tika Dance’, që njihet si e para shkollë e vallëzimit në Kosovë, e themeluar në vitin 1992, nga Atletika dhe Melvin Morina.
Atletika Morina, koreografe në këtë shkollë, njëherit trajnere e licencuar për disiplinën Zumba në Kosovë, në një intervistë për KosovaPress tregon se ky vallëzim është mjaftë specifik. Ajo thotë se të veçantë e bënë përmbledhja e stileve nga shumë lloje, siç është RnB, muzika latine dhe lëvizje të tjera të sporteve luftarake.
Këtë lloj vallëzimi Atletika e cilëson si shumë të lehtë, dhe e tëra që u duhet praktikuesve është që t’u përgatis një varg këngësh dhe të vallëzoj me secilën prej tyre, mirëpo sipas saj të duhet sadopak njohuri rreth cilësdo koreografi.
“Zumba nuk është vallëzim në veçanti por është përmbledhja e disa vallëzimeve të llojeve të ndryshme. Në një orë kur e mbajmë ka RnB, ka latine, ka edhe lëvizje të sporteve luftarake… Zumba nuk mësohet, kur merresh me koreografi gjithë jetën është shumë lehtë me mbajt zumba se e lëshon muzikën e bon një playlist edhe tash një këngë del edhe ti aty për aty e bon një koreografi, d.m.th duhet me pas aftësi për koreografi për me mbajt zumba”, tha Atlektika.
Ajo thotë se interesimi është shumë i madh për këtë vallëzim dhe momentalisht ka rreth 56 anëtarë të moshave të ndryshme, të ndarë në katër grupe. Veç tjerash, Atletika tregon se interesimi për vallëzim është më i madh tek femrat se sa tek meshkujt, përveç grupit që mban me vallëzimin latin, i cili zhvillohet në çift.
“Interesimi është shumë i madh, kemi edhe të rritur, edhe fëmijë por edhe më të moshuar, kemi të moshave të ndryshme. Dhe janë të ndarë në grupe, me orare të ndryshme. Grupi më i madh është për Zumba në katër grupe…gjinia femërore është ma e interesime për vallëzimin, sa i përket meshkujve ma pak interesim ka nga ana e tyre”, tha Atletika.
Vallëzimin Zumba, koreografja Atletika Morina e cilëson si shumë të lehtë, pasi që sipas saj e tëra që duhet të bëni është vetëm të lëvizni në mënyrë të lirë dhe në këtë formë humbet stresi, pesha, dhe çka është më e rëndësishmja kjo disiplinë nuk ka rregulla. Morina tha që është në përgatitje të organizimit të një mbrëmjeje me vallëzimin Zumba, që do mbahet gjatë verës së ardhshme, pasi këtë verë u anulua për shkak të certifikimit të saj rreth këtij vallëzimi në Çikago.
Disiplina Zumba është mjaftë e kërkuar edhe për çiftet në ditën e tyre më të veçantë. Atletika tregon se shumë çifte kanë marrë orë shtesë për të mësuar koreografi të veçanta në stilin Zumba, për performanca në ditën e tyre të dasmës.
“Gjatë verës së kaluar ka pasur shumë çifte, kanë qenë diku mbi 20 çifte që kanë marrë koreografi nga unë, pra janë ushtruar nga unë, që të vallëzojnë në ditën e tyre të dasmës. Kam edhe tash cifte që po ushtrojë për performanca të veçanta të tyre në ditën e dasmës”, tha Atkletika.
Ilire Doçiqi është një ndër anëtaret e kësaj shkolle. Ajo thotë se ka tre vite që shkon në orët e vallëzimit Zumba, pasi që sipas saj ky lloj vallëzimi me atraktivitetin që përcjell është shumë ndihmues në largimin e stresit.
“Në Zumba vij që 3 vjet…se shumë po më pëlqen. Është anti-stres për mu, është formë vallëzimi që nuk bohet bajat kështu që pikërisht Zumbën e kom zgjedh…e rregullt thuajse e rregullt veç nëse del ndonjë punë atëherë nuk vij përndryshe më dhimbet shumë ajo ditë që nuk vij”, tha Ilirja.
Përndryshe, ky lloj vallëzimi preferohet që të zgjas një orë, prej ku mund të djegësh 1 mijë kalori. Ndër VIP-at e njohur të botës që e preferojnë Zumba-n, janë edhe Jennifer Lopez, Halle Berry, Victoria Beckham, etj. Ky lloj vallëzimi preferohet më së shumti për personat të cilëve ju mungon aktiviteti fizik për shkak të obligimeve në punë dhe në shtëpi. /KosovaPress/