Mbi 57 mijë dibranë me të drejtë vote u thirrën sot në zgjedhjet e pjesshme në Dibër për të zgjedhur kryebashkiakun e ri.
Procesi zgjedhor që ka filluar në orën 07:00 u mbyll në orën 19:00.
Pjesë e kësaj gare zgjedhore ishin dy kandidatë, Muharem Rama i ASHE, dhe Sherefedin Shehu i Aleancës për Punë dhe Dinjitet.
Kandidati i PS-së votoi gjata paradites, ndërsa Sherefedin Shehu nuk votoi për shkak të mosregjistrimit brenda afateve ligjore.
Ndërkohë, PD dhe PS në rrugë zyrtare kanë denoncuar raste të fotografimit të votave por procesi u zhvillua i qete në tërësi.
Sipas rezultateve të fundit publikuar nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 16:00, në të gjitha Qendra e Votimit kanë votuar 43 për qind e votuesve me të të drejtë vote.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerësoi komunikimin e të gjithë sekretarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe anëtarësisë së tyre me KQZ, komunikim i cili ka qenë permanent, korrekt dhe në kohë reale, jo vetëm për pjesëmarrjen në votime por për të gjithë dinamikën procesit të votimit.
Administrimi i procesit zgjedhor do të kryhet në KZAZ numër 19, në të cilën shorti ka caktuar opozitën me katër anëtarë dhe maxhorancën me 3 anëtarë.
Më herët Kryetari i KZAZ 19 në Dibër, Fadil Begu tha për mediat se procesi i numërimit pritet të fillojë në mesnatë, pasi të mbërrijnë të gjitha kutitë e votimit.
Mendojmë që do fillojmë të numërojë pasi të vijë edhe kutia e fundit. Më larg është Lura që mendojmë se kutitë do vijnë rreth orës 23:00 Shpresoj që rreth orës 24:00 do të fillojë numërimi pa shkëputje”, deklaroi Begu.
Ky proces zgjedhor u monitorua nga 268 vëzhgues vendas dhe të huaj.