Aktuale

Zgjedhjet në PD, proces i qetë në degët me më shumë anëtarë

80 mijë demokratë kanë të drejtë vote sot për të zgjedhur kryetarin e ri të Partisë Demokratike. 71 degët lokale në të gjithë vendin janë hapur në orën 8 të mëngjesit deri në orën 19.

Vetëm dega numër 2 e PD-së ka qëndruar e mbyllur pasi anëtarët e saj votojnë në selinë qëndrore të PD-së, ndërsa në degët e tjera anëtarët kanë votuar pranë zyrave përkatëse.

Por si votojnë demokratët për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë për 4 vitet e ardhshme? Përveç vulave me logon e PD-së, në tryezën e komisionit të votimit gjendet edhe lista me anëtarët e secilës degë.

Pas hedhjes së votës, në dhomën e fshehtë, fleta e votimit hidhet në kutinë që mban numrin e qendrës.

Anëtarët e komisionit thonë për Top Channel se procesi ka qënë i rregullt dhe pjesëmarrja e kënaqshme.

“Procesi ka shkuar normalisht, ka pasur fluks njerëzish që kanë votuar prej orës 8, kur hapëm qendrën e votimit”, thotë një komisionere.

“Numri i votuesve është 1.344 me të drejtë vote, deri tani kanë votuar mbi 250”, saktëson një tjetër.

Ajo çka ra në sy në disa qendra votimi ishte fotoja e kandidatit për kryetar të PD, Lulzim Basha.

Edhe ata që nuk e kanë emrin në lista kanë patur mundësi të votojnë përmes kartës së vjetër të anëtarësisë, pavarësisht faktit se nuk e kanë rifreskuar në kohën e dixhitalizimit dy vjet më parë.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, në orën 19:00, kutitë me materialet zgjedhore do të dorëzohen pranë selisë së PD, ku do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.