Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bëre apel sot të gjithë qytetarëve të Kolonjës, që të t’i drejtohen qendrave të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë.
Në një njoftim për media, KQZ bën të ditur se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit në Bashkinë Kolonjë. Të gjithë qendrat e votimit janë hapur në përputhje me të gjitha procedurat ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së.
Ndërsa Policia e Korçës bën me dije se ka marrë të gjitha masat dhe ka nisur zbatimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për kryetar bashkie në Kolonjë.
Sipas një njoftimi për shtyp, agjentët kanë marrë nën ruajtje objektet zgjedhore që prej orës 18.00 te se shtunes, kur kanë mbërritur dhe materialet elektorale.
Gjatë këtij procesi janë angazhuar 65 punonjës policie dhe janë vendosur në dispozicion 11 mjete.
Në Bashkinë Kolonjë jane 36 qendra votimit, të cilat janë marrë nën mbikëqyrjen e policisë e po ashtu edhe 8 njësi administrative, saktësohet në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë, në Drejtorinë e Policisë së Korçës është ngritur një grup i posaçëm për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit që do të vijë ditën e diele. Autoritetet njoftojnë se situata në Kolonjë sa i takon rendit dhe sigurisë ka qenë e qetë dhe pa probleme.