Aktuale

Zgjedhjet e jashtëzakonshme më 6 tetor

Pas vendimit që morën anëtarët e Kryesisë së Kuvendit që seanca për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 22 gusht, burime brenda Presidencës së Kosovës tregojnë se më 6 tetor do mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus nga burime të saja brenda Presidencës ka kuptuar se presidenti Hashim Thaçi në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore, ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen me 6 tetor.

Megjithkëtë, rregulli e kërkon që data e zgjedhjeve të caktohet pas konsultimeve me partitë politike, e siç dihet, Thaçi ende nuk e ka nisur këtë proces.

Pavarësisht kësaj, 6 tetori do të mbetet datë për mbajtjen e zgjedhjeve, vetëm nëse i gjithë spektri politik e kundërshton.

Bazuar në interpretimet ligjore, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.

Si do qoftë, tashmë vendi ka hyrë në rrugën për të mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat erdhën pa planifikuar pasi Ramush Haradinaj më 19 korrik ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, meqë mori ftesë nga Gjykata Speciale për tu intervistuar si i dyshuar.

Ai kishte deklaruar se në Hagë dëshiron të shkoj si Ramush Haradinaj, e jo si kryeministër.

Qysh atë ditë Haradinaj i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Kurse pas situatës së krijuar zgjedhjet i kanë kërkuar të gjitha partitë e tjera në Kosovë, si ato të koalicionit ashtu edhe ato opozitare./FaktePlus