Aktuale

Zgjedhjet e 11 dhjetorit: Partitë po përmbyllin listat e kandidatëve

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk përjashton mundësinë që në listat e kandidatëve për deputetë sërish të përfshijë disa nga ish-ministrat dhe ish-deputetët me të cilët kjo parti kishte garuar në zgjedhjet e kaluara.

Partia e Ahmetit do të presë afatin e fundit ligjor që është 11 nëntori për të finalizuar përzgjedhjen e kandidatëve për votimet e 11 dhjetorit. Zyrtarisht, BDI-ja ka prezantuar vetëm kandidatin për deputet në diasporë që është Xhevdet Spahiu, ndërsa listës së kandidatëve në njësinë e gjashtë pritet ti prijë kreu partiak Ali Ahmeti.

“Nuk kemi përcaktuar në parti një kritere të tilla se kush do të jetë deputetë. A do të lidhet kjo çështje me mandatet e kaluara por gjithçka ka të bëjë kryesisht me atë se çfarë presin qytetarët nga ne dhe a janë ata persona të gatshëm për të realizuar platformën e BDI-së që do të jetë shumë dinamike pasi ne këtë mandat e konsiderojmë si përmbyllës për temat që kanë filluar në vitin 2002 me Marrëveshjen e Ohrit”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Edhe partitë tjera janë në fazë të përpilimit të listave për deputetë. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, edhe një herë ka konfirmuar se kandidatët e këtij subjekti do të prezantohen këtë të diele në kongresin partiak, ndërsa në mesin e tyre do të ketë edhe shqiptarë. Alsat mëson se përveç kreut të partisë Zoran Zaev dhe zëvendëskryetares Radmilla Shekerinska, Oliver Spasovski dhe Stevo Pendarovski do t’u prijnë listave për deputetë të kësaj partie në disa njësi zgjedhore.

“Ne listat tona do t’i zbulojmë më 6 nëntor, të dielën. Aktualisht jemi duke biseduar me partnerët e koalicionit, por më tepër kohë jemi duke i kushtuar qytetarëve të cilët po ashtu do të jenë pjesë e listave të përbashkëta që do t’i publikojmë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja nuk japin asnjë informacion për kandidatët e mundshëm me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. E vetmja parti që ka publikuar listat e kandidatëve është PDSH-ja. Ndërkohë, ditëve në vijim listat pritet t’i prezantojë edhe Lëvizja Besa. Përveç Bilall Kasamit i cili pritet të dalë bartës liste në njësinë e gjashtë, në zonat tjera zgjedhore si kandidatë të mundshëm për t’u prirë listave përmenden emrat e dy anëtarëve të kryesisë qendrore -Afrim Gashit dhe Zekirja Ibrahimit./Alsat/