Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka zhvilluar biseda telefonike për koordinim me shtetet e rajonit pas hapjes së kufijve me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Zyra për komunikim në Ministrinë e Shëndetësisë ka dhënë detaje rreth bisedave të ministrit Zemaj me homologët e tij.
Kjo është komunikata për medie e MSH’së:
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, z. Armend Zemaj, zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologët e tij në Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, ministrat Ogerta Manastirliu, Kenan Hrapoviq e Venko Filipçe, me të cilët diskutuan rreth bashkëpunimit për përballjen e pandemisë Covid -19 në shtetet respektive.
Gjithashtu, gjatë kësaj bisede, është diskutuar edhe për hapa të tjerë të bashkëpunimit të ardhshëm midis Kosovës dhe këtyre shteteve në fushën e shëndetësisë.
Ministri Zemaj i ka njoftuar homologët Manastirliu, Hrapoviq e Filipçe për vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e kufirit në mes të Republikës së Kosovës me këto shtete.
Ministrat u dakorduan që në ditët në vijim të takohen për të diskutuar në mënyrë edhe më të detajuar bashkëpunimin midis shteteve në shëndetësi.