Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj iu ka bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që t’iu përmbahen udhëzimeve të dala nga “Manuali për Mbrojtjen nga përhapja e COVID 19”, tash kur në vend po raportohet për rritje të rasteve me virus, raporton Gazeta Express.
Zemaj ka shkruar në Facebook se ky virus është shqetësimi më i madh momentalisht.
“Është shndërruar si një kërbaç̧ që çdo ditë po godet ndonjë qytetarë. Që nga fillimi detyrës unë si ministër dhe tërë stafi im me të gjitha kapacitetet po angazhohemi në këtë kryengritje kundër virusit. Por ushtarët kryesor jeni secili nga ju. Tubimet dhe grumbullimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh. Në to po fshihet ky virusi i pabesë që pret për t’u shpërndarë dhe atakuar”, ka thënë ai, derisa ka bërë thirrje për respektim të distancës.
“Mos respektimi i distancës fizike dhe sociale dhe masave parandaluese të rekomanduara nga IKSHPK, mosmbajtja e maskave dhe dorezave, ditëve të fundit ka rezultuar me rritjen e frikshme të numrit të të infektuarve. Kjo situatë është krijuar sidomos pas datës 30 maj kur u lehtësuan masat. Çdokush duhet jetë i vetëdijshëm se virusi vërsulet e shpërndahet në tubime e grumbullime njërëzish dhe përmes kontakteve”, tha ai.
Ministri ka shtuar se në këto rrethana është e pamundur mbikëqyrja e përgjithshme.
“Në këto rrethana është e pamundur mbikëqyrja e përgjithshme. E vetmja armë e jona kundër këtij virusi është ruajta e distancës fizike e sociale dhe respektimi i masave mbrojtëse dhe parandaluese. Të gjitha institucionet publike e private duhet rigorozisht të ndërmarrin të gjitha veprimet që dalin nga udhëzimet e “Manualit për mbrojtjen nga përhapja e virusit covid-19” shtoi ai./GazetaExpress/