Qeveria e Zelandës së Re ua ka ndaluar turistëve notimin me delfinë në përpjekje për ta ruajtur numrin e këtyre specieve të rrezikuara.
Sipas Departamentit për Konservim, studimet kanë treguar se njerëzit po u duan tepër delfinët dhe veprimet e tyre kanë pasur ndikim të theksuar në mënyrën se si kanë pushuar dhe si janë ushqyer delfinët.
Ndalesa për notim me delfinët vlen për operatorët turistik në rajonin e ishullit verior, i cili është i popullarizuar për turistët për shkak të klimës së ngrohtë dhe plazheve me rërë ngjyrë ari. Sidoqoftë, turistëve që vizitojnë pjesë të tjera të vendit ende kanë mundësi të notojnë me delfinët.
Delfinët zakonisht notojnë në rajonet bregdetare, duke i bërë ata të ndjeshëm ndaj aktiviteteve të njerëzve. Sipas Departamentit për Konservim, numri i tyre në rajonin verior të Zelandës së Re ka rënë për 66 për qind nga viti 1990.
Një grup prej 19 delfinësh po e vizitojnë këtë rajon rregullisht kohëve të fundit. Sipas raporteve më të reja, shkalla e mortalitetit të delfinëve është 75 për qind, që paraqet shifrën më të lartë në Zelandë të Re.
Operatorët turistikë janë të shqetësuar për ndikimin që do ta ketë ky vendim në numrin e turistëve dhe kanë thënë se anijet private mund ta keqpërdorin mungesën e njerëzve në ujëra, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.