Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, i ka vlerësuar lart banorët e shtetit të saj për respektimin e masave të izolimit pasi vendi e shënoi ditën e dytë pa asnjë rast të ri të koronavirusit.
Numri i rasteve të konfirmuara mbeti 1,487, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e shtetit të largët. Edhe shifra e viktimave mbeti e pandryshuar – 20. Vetëm katër persona janë duke u trajtuar tash për tash në spital dhe asnjëri prej tyre nuk ndodhet nën kujdes intenziv.
Të martën, zonja Ardern foli me udhëheqësit e Australisë në kabinetin qeveritar të këtij shteti dhe ndau të dhënat dhe përvojën e Zelandës së Re gjatë luftës me koronavirusin, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
“Mungesa e rasteve të reja për dy ditë rresht është rezultat i banorëve të Zelandës së Re që po dëshmojnë përkushtim dhe disiplinë ndaj qëllimit tonë. E dimë se virusi mund të ketë një bisht të gjatë dhe rastet e tjera mund të shfaqen, prandaj mos bëni asgjë që e pengon fitoren tonë të mundshme në këtë pikë”, tha Ardern.
Drejtori i shëndetësisë, Ashley Bloomfield, tha se këto shifra janë arsye për festë dhe simbol i përpjekjes së secilit, por paralajmëroi se populli i këtij shteti duhet të vazhdojë të jetë vigjilent.