Aktuale

Zeka për deklaratën e Fitore Pacollit: Rrenë e kullume, atë si me pagu dikush për aso deklarata

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës, Milaim Zeka, ka mohuar deklaratat e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli që Kosovës këtë vit nuk do t’i hiqen vizat.

Zeka i ka quajtur gënjeshtra deklaratën e Pacollit, i cila pas një takimi që kanë zhvilluar anëtarët e Komisionit për Integrime Europiane me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se nga ajo çfarë u pa këtë vit nuk do ketë heqje të vizave.

Zeka në një prononcim për lajmi.net, ka shprehur dyshimet se deputetja Pacolli sikur paguhet nga dikush për të dhënë deklarata të tilla.

“Ajo çfarë ka thënë deputetja Pacolli është rrenë e kullume, këta si me paguar dikush për një gjë të tillë”, është shprehur Zeka.

Deputeti Zeka i cili ka qenë pjesëmarrës në këtë takim, ka thënë se përfaqësuesit e BE-së, u kanë thënë se do të bëjnë çmos që të dërgojnë një raport sa më pozitivë për Kosovën.

“Në mënyrë absolute, përkundrazi përfaqësuesit e BE-së kanë thënë se do bëjnë çmos që me ndihme e ju deputetëve edhe të institucioneve të Kosovës ta dërgojnë një raport pozitiv në Bruksel edhe Strasburg për njerëzit që vendosin për liberalizimin e vizave, edhe sinjalet janë pozitive”, është shprehur ai.

Zeka ka thënë se për deklarimet e Fitore Pacollit ka shprehur shqetësimin edhe tek disa deputetët të VV-së, duke u shprehur se është turp edhe për Vetëvendosjen që një deputete si Fitore Pacolli të përfaqësojë atë parti në takimet me zyrtarë të BE-së./Lajmi.net/