Kompanitë amerikane kanë filluar të shprehin interesim për të investuar në Kosovë, dhe çdo vit e më shumë Kosova është duke u parë si mundësi e mirë për të investuar.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili ka treguar se interesimi më i madh janë sektorët minerarë dhe ata të gjenerimit të energjisë së elektrike.
“Ne në Odën Ekonomike Amerikane e kemi thënë edhe më herët që ka pasur një interesim të shtuar të kompanive amerikane në sektor të ndryshëm. Besoj që kanë qenë edhe aktivitetet e promovimit, qoftë nga Agjencioni për Promovimin e Investimeve ose ministrat individualë, të cilët kanë bërë promovim anë e mbanë vendit. Ka qenë ndoshta edhe reformimi i mjedisit për të bërë biznes që gradualisht ka filluar të përçojë mesazhe te investitorët amerikanë se Kosova megjithatë ofron një mjedis të përshtatshëm për të bërë biznes. E sidomos në aspektin afatgjatë edhe kjo është ndoshta edhe arsyeja pse ka një shtim të interesimit të kompanive amerikane. Nuk është thjeshtë çështje e interesimit të shtuar por është finalizim i vizitave që këta kanë pasur këto dy tre vitet e fundit edhe natyrisht duke ju falënderuar edhe reformave që janë ndërmarrë në terren nga ana e ministrive të caktuara”, tha Zeka, raporton Kosovapress.
Ai i ka përmendur disa nga kompanitë amerikane, të cilat tashmë janë të njohura për opinionin për interesimin e investimeve në vendin tonë.
Sipas tij, këto investime arrijnë shifra prej qindra milionë dollarëve, dhe pritet të krijojnë numër të madh të vendeve të punës.
“Një marrëveshje e cila pritet të finalizohet është ajo për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re për të cilën është kualifikuar një kompani amerikane. Në anën tjetër, aprovimi i cili pritet të jepet nga ana e Kuvendit të Kosovës, po ashtu për aplikimin për aktivitetin eksploruese, minerare të kompanisë “Envidity Energy Inc”, që është po ashtu kompani me kapital amerikan që janë dëshmi e rëndësishme e interesimit që kompanitë amerikane po fillojnë të kenë gjithnjë e më tepër për shtrirjen e operacioneve të tyre në Kosovë. Po ashtu pamë nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi ndemjet një kompanie amerikane “Stone Alliance” dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, memorandum i cili do t’i mundësoj kompanisë amerikane që pastaj të filloj me mbledhjen e fondeve me sigurimin e financimit tek institucionet financiare amerikane. Ashtu që të mund të nisë investimin i cili besohet që gjatë gjithë kohës së tij sa do të zgjasin aktivitetet afariste do të shkojnë në qindra miliona dollarë amerikanë. Dhe pritet të krijoj një numër të madh të vendeve të punës”, tha Zeka.
Zeka ka treguar edhe një rast të një kompanie me pronësi amerikane, e cila është e interesuar që në të ardhmen të investojë në ndërtimin e automjeteve ushtarake.
“Interesim ka pasur edhe në sektor të tjerë. E kemi përmendur edhe më herët interesimin e një kompanie amerikane për të shtrirë operacionet e saj në ndërtimin e automjeteve ushtarake por që ende ka mbet në nivel të interesimit. Kompania realisht ka kërkuar që të dijë se sa është kapaciteti buxhetor i vendit për të blerë së paku automjete të tilla ushtarake, nëse e ka të pamundur që t’i eksportojë të njëjtat, por edhe nëse të njëjtat do të përfundonin brenda vendit, për kompaninë amerikane këto shifra sikur kanë qenë të vogla. Megjithatë ato shifra buxhetore mund të ndryshojnë në vitet në vijim derisa vendi të fillojë të transformojë Forcën e saj të Sigurisë në një Ushtri, në një Armatë të vërtetë. Edhe atëherë natyrisht do të rriten edhe nevojat për blerjen e automjeteve të tilla të blinduara ose automjeteve ushtarake ku ndoshta mund të përfundojë ose të nisë një investim në sektorë të tillë. Ka pasur interesim tjetër edhe në sektorin e teknologjisë së informacionet dhe në telekomunikime, hapjen e qendrave të ashtuquajtura “call centers” ose nënkontraktonit të bizneseve të proceseve të tilla afariste. Deri më tani kemi parë që kryesisht këto qendra të thirrjeve janë vetëm në gjuhët gjermane”, tha Zeka.
Ai ka shtuar se pritjet e Asociacionit të Biznesit nga qeveria kanë qenë shumë më të mëdha. Por që sipas tij, në Kosovë ka filluar të përmirësohet klima e bërjes biznes.
“Në përgjithësi pritjet tona edhe si Odë Amerikane edhe si Komunitet i biznesit kanë qenë shumë më të mëdha. Por që nuk mund të jemi vetëm kritikues dhe të themi që nuk ka ndodhur asgjë. Liberalizimin e negocimit që investitorët potencialë strategjikë do të donin ta kishin me Qeverinë, duke ju shmangur procedurave burokratike dhe administrative të cilat për investitorët seriozë mund të duken si tepër rënduese dhe natyrisht një investitor i tillë do të ju shmangej ose nuk do të provonte fare të kalonte në ato procedura dhe do të orientohej në një vend tjetër të rajonit, të cilat, megjithatë, po arrijnë rezultat më të madh në tërheqjen e investimeve të huaja krahasuar me vendin tonë”, tha Zeka.
Mungesën e deritashme të Ligjit për investime strategjike e ka parë si pengesë kryesore e cila ka pamundësuar që shumë biznese të zgjedhin vendet të tjera në rajon.
Po ashtu, Zeka kërkon që sa më parë të hyjnë në fuqi të gjitha ato lehtësira të cilat vendin do ta bënin atraktiv për investitorët e huaj.
Ligji për investime të huaja ka hyrë në fuqi në këtë muaj, por bazuar në raportin e fundit të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vlerësimi i ekonomisë për 3 mujorin e dytë të këtij viti , thuhet se ka rënie të investimeve të huaja.
Investimet e Huaja Direkete (IHD) të pranuara në Kosovë, deri në qershor 2016, arritën vlerën prej 97.5 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 163.0 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015.