Aktuale

Zëdhënësi i partisë opozitare turke nën hetim, ofendoi presidentin

Prokuroria e Ankarasë nisi sot një hetim kundër zëdhënësit të partisë kryesore opozitare, Bulent Tezcan, pasi e ka cilësuar presidentin Recep Tayyip Erdogan “diktator fashist”, raportuan mediat lokale.

Kjo procedurë kundër Bulent Tezcan vjen pas depozitimit të një padie të njoftuar sot në mëngjes nga avokati i Erdogan, Huseyin Aydin.

“Kemi paraqitur një padi kundër Bulent Tezcan pranë prokurorisë së Ankarasë për ofendim ndaj presidentit”, deklaroi Aydin në “Twitter”.

Tezcan, deputet dhe zëdhënës i Partisë Republikane të Popullit (CHP), socialdemokratë, u kritikua pasi e quajti presidentin “diktator fashist” gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën në Tekirdag (veriperëndim).

Ai u solidarizua me një deputet lokal që është gjithashtu nën hetim për ofendim ndaj presidentit, që në Turqi përbën një krim të dënueshëm deri në katër vite burg.