Shtatorja që po zbulohet sot, le të shërbejë si një dëshmi e gjallë për brezat e ardhshëm se sakrificat janë bërë për të shijuar lirinë që populli i Kosovës gëzon sot.
Kështu u tha në një akademi përkujtimore me rastin e 42-vjetorit të lindjes së dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, ku u zbulua ridizajnimi i shtatores së Edmond Hoxhës në sheshin e Junikut.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i PDK-së, Kadri Veseli, tha se është një ditë e veçantë për të gjithë, pasi po vendoset shtatorja e re e Edmond Hoxhës në qendër të Junikut.
Veseli theksoi se vendosja e shtatores së Edmondit në qendër të Junikut, është shërbim shumëfishtë, pasi nderojnë veprën e tij në shërbim të atdheut, por edhe traditën e lartë të Junikut.
“Edmondi ishte luftëtar i orëve të para të UÇK-së, ka qenë një nga organizatorët e parë të celulave të saj. Rënia e tij bashkë me Zahirin dhe Hakifin në vitin 1997 e ka plagosur lëvizjen tonë çlirimtare, por këto plagë vetëm sa na kanë forcuar dhe më me shumë besim dhe guxim kemi vazhduar rrugën që kishim nisur. Vendosja e shtatores së Edmionidt në qendër të Junikut ka domethënie të shumëfishtë, ne nderojmë veprën e tij në shërbim të atdheut, njëkohësisht nderojmë traditën e madhe patriotike të Junikut. Edmond Hoxha do të jetë i paharrueshëm, vepra dhe jeta e tij, dhe e të gjithë luftëtarëve tanë….Për ne të gjallët do të jetë i paharrueshëm nderimi dhe kujtimi për gjithë heronjtë e kombit e në mënyrë të veçantë të gjithë thërrasim njëzëri lavdi dëshmorit të kombit Edmond Hoxha”, tha Veseli.
Kryetari i Junikut , Agron Kuçi tha se kjo ngjarje përkujton vlerat e mirëfillta kombëtare dhe njerëzore të popullit të Kosovës në funksion të tashmes dhe të ardhmes.
“Sot kur po e kujtojmë dhe shënojmë këtë ditë në 42 vjetorin e Edit, kujtojmë sakrificën sublime të të gjithë dëshmorëve të Junikut e të Kosovës, kujtojmë kullat e pamposhtura të Junikut, kujtojmë burrat e Junikut, kujtojmë monumentin e pavdekshëm të urtisë, kulturës e traditës fisnike shqiptare, odën e Junikut, odë fisnike e atdhetare në Junik ishte e njohur për traditë pleqnarësh, kultivim të vlerave brimore shqiptare. Atdhetari dhe dijetari i madh Avdyl Hoxha, gjyshi i Edmonidt, njihej për trimëri, urtësi dhe bujari, si i tillë ishte edhe përfaqësuesi më autoritativ i odës së Junikut i cili u pushkatua nga makineria pushtuese vrastare serbe bashkë më parinë e Junikut në janarin e vitit 1945”, tha Kuçi.
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për jetën dhe veprën e dëshmorit Edmond oxha, për të cilin tha se Edmondi shumë herët ishte kyçur në radhët e UÇK-së dhe veprimtaria e tij kombëtare duke mos u ndalur për asnjëherë deri në rënien e tij në Pestovë të Vushtrrisë bashkë me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun.
“Edmond Hoxha është emri i shkruar me shkronja të arta në historinë tonë me të re, është ylli polar që shndrit në shqiptari. Kosova dhe populli shqiptar përkulen para veprës së Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut e Zahir Pajazitit. Edmond Hoxha u rrit në një familje me traditë patriotike, pesë breza luftetarë”, theksoi Gucati.
Në emër të familjes, një fjalë rasti mbajti edhe nipi i Edmond Hoxhës, Frymëzim Isufaj, i cili tha se sot kemi momente pikëllimi dhe momente krenarie, pasi po nderohet jeta dhe vepra e heroit Edmond Hoxha.
“Shtatorja që po zbulohet sot, ku i falënderoj përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, posaçërisht kryetarin e Kuvendit për përkushtimin e tij që kjo shtatore të përfundohet, le të shërbejë si një dëshmi e gjallë për brezat e ardhshme se sa e shtrenjtë dhe sa sakrificat dhe gjak janë bërë për këtë ditë që ne të jetojmë të lirë”, tha ai.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe bashkëluftëtari i Edmond Hoxhës, Daut Haradinaj, i cili tha se shtatorja e Edmond Hoxhës i bën nder Kuvendit dhe historisë së Junikut dhe historisë kombëtare, dhe se kjo shtatore është udhëzimi se kah do të shkojë Kosova.
Ndërsa, në emër të dëshmorëve të Junikut, Muhamet Gacaferi tha se emri dhe vepra e Edmond Hoxhës nuk është i njohur vetëm për Kosovën, por gjithë shqiptarët./KosovaPress/