Vrasja e ambasadorit rus, që tronditi politikën në nivele ndërkombëtare, ka vënë në lëvizje të gjitha autoritetet. Forcat speciale turke dhe ato të ardhura nga Rusia, po hetojnë mënyrën dhe mjetet e përdorura nga autori për kryerjen e vrasjes.
Pak ditë pas ngjarjes tronditëse, vrasja u mor përsipër nga grupi terrorist Al Nusra, që mendohet të ketë lidhje me Al Kaeda-n. Mbi të gjitha, ajo që i bëri të gjithë kuriozë, ishte sesi vrasësi arriti të depërtonte aq afër ambasadorit.
Këtë shpjegon gazeta vendase “Hurriyet”, ku shkruhet se Mert Altintas kishte vendosur një stemë në pjesën e sipërme-majtas të xhaketës. Stema simbolizon anëtarësinë në grupin e personelit të sigurisë, i cili merret me mbrojtjen e personaliteteve. Mister mbetet ende fakti se ku e ka marrë stemën autori-njëra nga pistat mendohet të jetë se ai ka qenë polic i shkarkuar.
Simboli në veshje ka bërë që autori të kishte mundësinë të qëndronte lehtësisht pas ambasadorit, si dhe ta vriste atë në momentin më strategjik të fjalimit.