ekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Lamberto Zanier, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni, pas përfundimit të takimeve me liderët politikë, shprehu shqetësim për gjendjen në vend dhe u bëri thirrje liderëve politikë që t’i japin fund krizës politike.
Siç theksohet në deklaratën me shkrim të Zanier, tejkalimi i ngërçit politik dhe kthimi i stabilitetit politik doemos duhet të jetë prioriteti më i lartë.
“Çelësi për zgjidhjen qëndron në duart e aktorëve politike, të cilët duhet të përballen me sfidën dhe ta zgjidhin krizën për të mirën e të gjithë qytetarëve”, thekson Zanier.
Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit në vitin 2016, mundësuan bazë solide për formimin e qeverisë dhe i bëri thirrje Parlamentit që të fillojë me punën, në pajtim me parimin demokratik dhe sundimin e së drejtës.
Po ashtu, Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, i dënoi mesazhet dhe incidentet e paradokohshme që mund të sjellin deri te përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe theksoi se Marrëveshja kornizë e Ohrit është me rëndësi kyçe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të bashkësive.
Ai theksoi se i inkurajon të gjitha palët relevante të Marrëveshjes kornizë të Ohrit të mbeten të përkushtuar në implementimin e tij.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier në takimin me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile e potencoi rolin e tyre të rëndësishëm në promovimin e shoqërisë demokratike.
Gjatë vizitës Zanier u takua edhe me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki, liderët e partive politike nga VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Lëvizja BESA, Aleanca për Shqiptarët si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare./KosovaPress/