Aktuale

Ymeri: Vetëvendosje e vetmja garanci që Kosova të zhvillohet

Lëvizja Vetëvendosje në ditën e dytë të fushatës ka mbajtur tubim në komunën e Artanës, ku para qytetarëve kandidatët për deputetë dhe kryetari Visar Ymeri prezantuan projektin e Vetëvendosjes që funksionalizon shtetin e Kosovës dhe u bënë thirrje qytetarëve që të mbështesin ndryshimin më 11 qershor.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se prej kohësh Vetëvendosje shihet si e vetmja shpresë dhe garanci që Kosova të zhvillohet dhe të jetë në funksion të qytetarëve të saj.

“Kam ardhur sot këtu bashkë me kandidatët e tjerë për deputetë t’ua themi se te ju, te qytetarët e kësaj Republike, ne shohim të vetmen shpresë. Këta të tjerët i ka kapluar paniku dhe frika. E kanë futur njëri-tjetrin në sqetull: Kadri Veseli AAK-në dhe Nismën, Avdullah Hoti AKR-në e të tjerët”, ka thënë Ymeri.

Ai shtoi se Vetëvendosje nuk është subjekt që frikësohet, pasi kjo parti gjithnjë ka qenë e bashkuar me qytetarët dhe ashtu do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Asnjëherë, në asnjë organizim, ne nuk jemi ndarë prej jush, dhe as ju pre nesh, por më 11 qershor angazhimin dhe devotshmërinë ndaj Republikës e shprehim me votë”, tha Ymeri.

Kandidati për deputet nga komuna e Artanës, Emin Gerbeshi, tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes do të rriten kapacitetet prodhuese dhe zhvilluese, si dhe do të përfitojnë të gjitha shtresat e popullatës.

“Me Vetëvendosjen do të rimëkëmbet miniera e Artanës. Do të investojmë në repartet e fabrikave të cilat tani janë shndërruar në gërmadha dhe aty do të punësojmë brezin e ri”, tha Gërbeshi.

Kandidati tjetër për deputet, Shemsi Syla, tha se Vetëvendosje premton trajtimin adekuat dhe me dinjitet për dëshmorët dhe veteranët e UÇK-së, ndërsa kandidatja tjetër për deputete, Albana Gashi, tha se humbja e shpresës popullore është pasojë e keq-qeverisjes të gjatë nga dy partitë – PDK e LDK.

“PDK e LDK janë bashkëpjesëmarrës edhe në shkatërrimin e shëndetësisë, rrënimin e arsimit e kapjen e drejtësisë. Ata janë të njëjtë. Ata kanë qeverisur bashkë dhe janë sot të ndarë vetëm e vetëm për shkak të përfitimeve klanore. Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja kundërshti reale e tyre. Ne jemi për investime në shëndetësi, riformulimin e arsimit, dhe reformimin e drejtësisë”, tha Gashi.

Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë, e po ashtu kandidate për deputete, Nazlie Bala, prezantoi disa nga 40 prioritet tona, duke theksuar se Vetëvendosje ka mbetur e vetmja alternativë për qytetarin e varfër të Kosovës.

“Ne synojmë që përmes programit 40 pikësh, t’i ofrojmë secilit qytetar vendbanim të përhershëm, duke i ndërtuar 4000 banesa. Do t’i ofrojmë secilit student shkollim falas, shujtë ushqimi për secilin nxënës në krejt Kosovën, dhe stimulim financiar nga dhjetë euro në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15-vjeç”, tha Bala.

Nënkryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për deputet, Dardan Sejdiu, kritikoi kapjen e shtetit dhe domosdoshmërinë e çkapjes së tij, e po ashtu theksoi se puna në Prishtinë është modeli që mund të aplikohet në të gjithë Kosovën.

“Vetëvendosje më datën 11 qershor i ofron popullit të Kosovës një alternativë, e cila sigurohet që i papuni punësohet, punëtori mbrohet, qytetari është i barabartë dhe pushtetari në shërbim”, tha Sejdiu.